Dënohet me burgim me kusht i akuzuari për falsifikim të parasë

Gjykata Themelore në Prishtinë, të enjten, e ka dënuar me 1 vit burgim me kusht, Granit Zymberin, i cili akuzohej nga Prokuroria Themelore në Prishtinë për kryerjen e veprës penale “falsifikim i parasë”.

Lajme

20/03/2018 17:54

Ky dënim nuk do të ekzekutohet nëse gjatë periudhës verifikuese prej dy vitesh, i njëjti nuk kryen ndonjë vepër tjetër penale.

Gjithashtu, është shqiptuar edhe dënim plotësues, ku është konfiskuar kartëmonedha prej vlerës 50 euro.

Rrethanë lehtësuese, trupi gjykues deklaroi se ka marr faktin që është bërë kompensimi i dëmit.

Kurse, gjykata ka konsideruar se një dënim i tillë do të jetë i mjaftueshëm që Zymberi të vetëdijesohet dhe të mos kryej vepër tjetër penale.

Kryetari i trupit gjykues, Hamdi Ibrahimi, ka deklaruar se trupi gjykues nuk ka dilemë se gjatë shqyrtimit kryesor është arritur të vërtetohet se i pandehuri duke qenë në dijeni se ka para të falsifikuar e ka vënë në qarkullim.

Dy momente që kanë rënë në sy gjatë shqyrtimit të këtij rasti, sipas Ibrahimit, ishin tentimi i tanimë të dënuarit për t’i ikur përgjegjësisë penale, duke incizuar pa dijeni shokun e tij me qëllim që të njëjtën ta përdor si provë se shoku i tij ka kryer veprën penale. E me këtë përgjim, trupi gjykues ka konsideruar se nuk është vërtetuar asgjë pasi vetëm shihet se në mënyrë të paautorizuar  i dënuari ka incizuar një person duke ecur që nuk shihet dhe nuk  kuptohet se çfarë po flitet.

Momenti i dytë, kryetari i trupit gjykues deklaroi se ishte deklarata e dëshmitarit Albin Halimi i cili më herët në kushte normale ka dhënë dëshmi në polici në prezencë të punëtorit të Qendrës për Punë Sociale (QPS), nga ana e së cilit nuk ka pasur vërejtje dhe rrethanë abnormale që Halimi të frikësohet apo të ndihet keq apo të qaj, kurse para trupit gjykues ka ndryshuar komplet deklaratën e tij duke u betuar se po e thotë të vërtetën e vetëm të vërtetën nuk e ka thënë.

Sa i përket deklaratave të dhëna më herët, gjykata ka konsideruar se janë të pranueshme, sa i përket edhe rastit të deklaratës së Halimit i cili në kohën e dhënies së deklaratës në polici ka qenë i mitur, pasi i pranishëm ka qenë punëtori i QPS, kurse herën e dytë marrja në pyetje është bërë me autorizim të prokurorit.

Sipas prokurorisë, Granit Zymber, më 26 korrik 2017, kishte shkuar në pishinën “Freskia”, në Lipjan dhe me dije, të dëmtuarit Ramadush Krasniqi ia kishte dhënë një kartëmonedhë prej 50 euro, për ta thyer në të holla më të imta, por pasi i dëmtuari kishte dyshuar se ajo kartëmonedhë është e falsifikuar, e kishte thirrur policinë që ka ardhur në vendin e ngjarjes duke e sekuestruar atë kartëmonedhë.

Para shpalljes së aktgjykimit, në seancën e së hënës është dëgjuar dëshmitari Albin Halimi dhe është dhënë fjala përfundimtare nga palët në procedurë.

Dëshmitari Albin Halimi, ka deklaruar se nuk i kujtohet data kur ka ndodhur rasti, mirëpo i kujtohet se ka qenë korrik dhe rreth orës 11:00, kanë qenë duke shkuar në pishinë me shumë shokë, por më pas është ndarë me Zymberin dhe janë nisur së bashku për në pishinë.

Sipas Halimit, rrugës për bazën të një xhami kanë parë 50 euro dhe ai i ka marr paratë, dhe pasi kanë hyrë në bazën kanë shkuar me paratë që i kanë gjetur për të cilat nuk e kanë ditur se janë fals për të blerë diçka në dyqan.

Pasi kanë porositur çfarë kanë dashur për të blerë, sipas Halimit, një vajzë u ka thënë për të shkuar të një person për t’i shndërruar 50 euro në para të imëta dhe i ka shndërruar 50 euro në bankomatë prej vlerës 5 euro.

Sipas dëshmitarit, pasi kanë kaluar rreth 40 minuta, me sa i kujtohet ka ardhur një punëtor, i cili u ka thënë se paratë janë fals dhe kishte kërkuar të ua kthenin paratë. Më pas dëshmitari tha se ata disi janë gjetur dhe ia kanë kthyer paratë. Mirëpo, punëtori kishte insistuar për të ftuar policinë, dhe policia kishte ardhur, e më pas ishin shoqëruar për në Stacion Policor.

15 euro nga paratë që kishin tepruar, kur i kishin shndërruar 50 euro në të imëta, deklaroi se ia kishte dhënë Zymberit.

Pas kësaj deklaratë, prokurori Hivzi Bajraktari e ka ballafaquar me deklaratën që e ka dhënë në polici kur kishte qenë i mitur, për të cilën deklaroi se e kishte dhënë në prani të punëtorit të QPS.

Në deklaratën në polici, dëshmitari kishte thënë se rreth orës 11:00 është takuar me tanimë të dënuarin dhe kishin shkuar në pishinën “Freskia”, e Zymberi i kishte treguar se kishte 50 euro fals.

Për këtë dëshmi, dëshmitari tha se atëherë ka qenë i ri dhe është frikësuar shumë nga policia, dhe ka gënjyer në dhënien e deklaratës, pasi ka qenë i mitur dhe është frikësuar mos po e kupton familja e tij.

Më tutje, në polici kishte deklaruar se Zymberi i kishte thënë “Nëse shkon mi thy, 5 euro janë të tuat si shpërblim dhe unë shkova në shitoren e bazenit”.

Dëshmitari, deklaroi se e vërteta është ajo që po e thotë para trupit gjykues e jo deklarata e tij e dhënë në polici.

Më tutje, në deklaratën në polici dëshmitari kishte thënë “Erdhën ata të bazenit, thanë hajde se mos t’i kemi dhënë 5 euro më tepër, unë i thash se po vi vetëm ta gjej shokun që i ka paret”.

Kryetari i trupit gjykues, ka pyetur dëshmitarin se a ia ka dhënë atë ditë Zymberi 5 euro, dëshmitari tha se nuk ia ka dhënë. Sërish është ballafaquar me deklaratën në polici ku kishte thënë se Zymberi ia kishte dhënë 5 euro sipas marrëveshjes.

Prokurori Hivzi Bajraktari, në fjalën e tij përfundimtare, ka deklaruar se pas administrimit të provave, dëgjimit të dëshmitarit gjegjësisht të dëmtuarit Ramadush Krasniqi, është vërtetuar se Zymberi ka kryer veprën penale që i vihet në barrë.

Prokurori ka deklaruar se gjatë deklaratës së dhënë para trupit gjykues, është parë qartë se Albin halimi është ndikuar nga Zymberi dhe ka kërkuar që të mos i falet besimi kësaj dëshmie. Më tutje, prokurori deklaroi se pas analizimit të deklaratës të Zymberit dhe të dëmtuarit shihet qartë se i akuzuari ka kryer veprën penale, prandaj ka propozuar që i njëjti të shpallet fajtor dhe dënohet sipas ligjit.

Kurse, avokati mbrojtës i Zymberit, Ekrem Agushi, ka deklaruar se mbrojtja vlerëson se në veprimet e të akuzuarit nga provat që janë propozuar nga prokurori nuk është vërtetuar se te klienti i tij ekzistojnë elementet e kryerjes së veprës penale për të cilën akuzohet.

Sa i përket, dëshmisë së Halimit, mbrojtja deklaroi se është e bindur se dëshmia e tij para trupit gjykues ka qenë objektive, reale, sepse dëshmitari tanimë është i pjekur dhe ka mudnësi të lerësoj pasojat e një dëshmie, kurse  për dëshminë në polici i njëjti ka sqaruar se ka qenë e rrejshme nga frika e tij.

Mbrojtja, ka propozuar që i akuzuari në mungesë të provave të lirohet nga aktakuza.

Ndryshe, në seancën e 23 shkurtit, i akuzuari gjatë mbrojtjes së tij, kishte prezantuar një audio-incizim, me të cilin synonte që të dëshmoi pafajësinë e tij.

Zymberi, pasi ishte marr në pyetje nga gjykata dhe prokurori, kishte thënë se para se të deklarohet rreth fajësisë e tij, ka edhe një audio-incizim, që sipas tij, tregonte se ai nuk është kryerës i veprës penale, por që siç thotë ai, është Albin Halimi.

“Unë kam fakt se Albin Halimi e ka ba pagesën pasi unë e kam incizu me telefon para nja gjashtë muajve. Jena dal, kena bo llaf edhe ai vet e ka pranu që nuk e ka ditë që janë paret fals edhe e pranon që e ka ba vet pagesën”, kishte thënë Zymberi.

Pas kësaj, gjyqtari Hamdi Ibrahimi e kishte pyetur prokurorin Hivzi Bajraktari se cili është deklarimi i tij për propozimin e të akuzuarit.

Prokurori Bajraktari, fillimisht kishte theksuar  se kjo është provë e papranueshme, e më pas kur Ibrahimi kishte kërkuar të dijë nga prokurori se si do të veprohet lidhur me telefonin e të akuzuarit, i njëjti kishte thënë se do të shikohet që të filloi procedura penale për përgjim të paautorizuar.

Më pas ishte dashur që të intervenoi policia dhe me urdhër të prokurorit telefoni i të akuzuarit ishte sekuestruar përkohësisht, derisa ishte marr audio-incizimi nga telefoni i të akuzuarit në pajisjet teknike të gjykatës.

I akuzuari kishte pranar se këtë incizim e ka bërë pa e informuar Albin Halimin, me arsyetimin se ka dashur të dëshmoi se është i pafajshëm dhe se nuk e ka ditur se po bënë vepër penale.

“E kam rujtë si fakt për mos mu akuzu unë. Unë nuk e kam ditë a po boj vepër apo diçka”, kishte thënë Zymberi.

Gjykata kishte vendosur që të dëgjoi dy herë incizimin që e prezantoi Zymberi, por konstatoi se nuk mund të kuptohej përmbajtja e tij.

Kurse, më pas gjykata kishte marr vendim që të dëgjohet edhe Halimi si dëshmitar. Një gjë të tillë e kishte propozuar edhe prokurori.

Prokurori Bajraktari kishte thënë se nuk është zhvilluar një procedurë e përbashkët me Granit Zymberin dhe Albin Halimin pasi ky i fundit në vitin 2015, ka qenë i mitur./B etimiperdrejtesi/