Dënohet me 2 vjet e 8 muaj burgim i akuzuari që pranoi fajësinë për vjedhje në kishë

Gjykata Themelore në Gjakovë, e ka dënuar me 2 vjet e 8 muaj burgim, Ismet Lokajn, i cili akuzohej se në kishën e fshatit Novosellë të Gjakovës, ka vjedhur 10 mijë euro, dy mijë franga zvicerane, 400 dollarë si dhe një telefon “Iphone 6”.

Lajme

22/05/2018 16:22

Aktgjykimi është shpallur nga gjykatësi Mentor Bajraktari, pasi që i pandehuri ka pranuar fajësinë për veprën penale të vjedhjes së rëndë.

Para shpalljes së aktgjykimit, i akuzuari Ismet Lokaj, ka thënë se është penduar për veprën e kryer.

“Sot po e shoh se nuk është motra e nderit këtu zonja Spaqi nga se kam pasur për qëllim që të njëjtës ti kërkoj falje publikisht për rastin që ka ndodhur dhe e kam bërë një plan timin që të asaj t’ia kthej shumën e parave që ia kam marrë. Për këtë veprim jam penduar thellë dhe i premtoj Gjykatës se në të ardhmen nuk do të kryej vepra të tilla”, ka deklaruar i akuzuari Lokaj, raporton betimiperdrejtesi.com

Mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Driton Dobruna, i ka propozuar Gjykatës që pranimin e fajësisë së të mbrojturit të tij, ta marrë si rrethanë lehtësuese.

Sipas aktakuzës, Ismet Lokaj akuzohet se më 3 prill 2018, në fshatin Novosellë të Epërme të Komunës së Gjakovës, pikërisht në kishën e fshatit, në shtëpinë e motrave të nderit, pasi ka vërejtur se dera e kishës është e hapur ka hyrë brenda, ku në katin e dytë në dhomën e motrës së nderit, Hana Spaqi ka marrë një telefon të markës “Iphone 6” dhe portofolin në të cilin kishte 10.000 euro 2.000 franga zvicerane dhe 400 dollarë.

Me këtë, ai akuzohej se ka kryer veprën penale “vjedhje e rëndë”.