Dënohet me 12 vjet burgim i akuzuari për vrasjen e Alfred Malokut

12 vjet burgim efektiv ka shqiptuar Gjykata Themelore në Ferizaj, ndaj Taulant Tërstenës, i akuzuar për vrasjen e Alfred Malokut, në vitin 2014.

Lajme

18/09/2017 15:28

Aktgjykimi dënues ndaj Tërstenës, u shpall të hënën, nga trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari, Ibrahim Idrizi.

Tërstenës, në dënimin e shqiptuar do t’i llogaritet koha e qëndrimit në paraburgim prej 16 prillit të vitit 2014, e deri sa aktgjykimi të merr formën e prerë, ku me aktvendim të veçantë të njëjtit iu vazhdua kjo masë.

Kundër këtij aktgjykimi, palët u njoftuan se kanë të drejtë ankese në afatin ligjor prej 15 ditësh, nga dita kur aktgjykimi të bëhet i plotëfuqishëm.

Taulant Tërstena, akuzohej se më 15 janar 2014, pas një përleshje që kishte pasur gjatë orëve të paradites me Blerim Kosumin, në po të njëjtën ditë rreth orës 19:30 në Ferizaj, pasi ishin takuar diku në rrugët e qytetit, ku me këtë të fundit kishin qenë Elfuad dhe Alfred Maloku, i pandehuri Taulant Tërstena, fillimisht i kishte drejtuar revolen Blerim Kosumit, dhe më pas e kishte sulmuar me thikë në kraharor në anën e djathtë, tani të ndjerin Alfred Malokut.

Nga goditjet e marra, viktima Alfred Maloku, kishte pësuar lëndime të rënda trupore në anën e djathtë të kraharorit e të cilat kishin rezultuar edhe me përhapje në anën e majtë, përkatësisht në barkushen e zemrës. Pas këtyre, lëndimeve Alfred Maloku, kishte ndërruar jetë në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës (QKUK).

Ndryshe, Gjykata Themelore në Ferizaj, të pandehurit Taulant Tërstëna i kishte shqiptuar 13 vjet e 6 muaj burgim për veprat penale “vrasje” dhe “përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.

Mirëpo, pas procedimit të lëndës në shkallën e dytë, ishte ndryshuar aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë, ku Gjykata e Apelit e Republikës së Kosovës nga 13 vjet e 6 muaj burgim kishte rritur dënimin ndaj Tërstenës dhe të njëjtin më pas e ka gjykuar me 15 vjet e 6 muaj burgim për veprat penale të cekura më lartë.

Lënda, me ankesë të palës mbrojtëse ishte proceduar edhe në Gjykatën Supreme të Republikës së Kosovës, e cila me aktgjykim ka anuluar të dy aktgjykimet e shkallës së parë dhe asaj të dytë dhe ka kthyer lëndën në rivendosje nga pika zero, Gjykatës Themelore në Ferizaj, dhe atë vetëm sa i përket lartësisë së dënimit.

Ndërkaq, përfaqësuesi i viktimës në këtë rast, babai i të ndjerit Ismet Maloku, për kompensimin e dëmit u udhëzua në kontest civil.