Dënohet ‘Bechtel&Enka’ për vdekjen e punëtorit

Janë bërë më shumë se një muaj nga vdekja e punëtorit të “Bechtel & Enka” Tafil Tafallari gjatë punës në autostradën Prishtinë – Shkup, “Arbën Xhaferi”.

Lajme

06/12/2017 13:39

Fiks një muaj pas raportit që paraqet rrjedhën e ngjarjes dhe shkaktarët, Inspektorati i Punës bazuar në këtë raport tashmë ka marrë një vendim ndaj kompanisë “Bechtel & Enka” në lidhje me vdekjen e 41 vjeçarit Tafil Tafallarit.

Inspektorati i Punës sot në bisedë për Ndërtimi.info ka kumtuar se tashmë kanë marrë vendim që kompanisë “Bechtel & Enka” t’i shqiptohet masë ndëshkimore gjobë në vlerë 7 mijë e 500 euro.

Këtë gjobë e ka bërë të ditur për Ndërtimi.info zëvendëskryeinspektori i Punës, Agim Millaku. Ai ka theksuar se kjo masë mund të ndryshojë në shkallën e dytë.

“Inspektori i punës ka dhënë një vendim për shqiptimin e masës ndëshkimore gjobë. Shuma e shqiptuar si gjobë është 7 mijë e 500 euro. Por, kjo nuk është definitive sepse mund të ndryshojë në shkallën e dytë, pastaj është Gjykata Themelore gjykata e apelit, Gjykata Supreme. Kjo ankimohet deri në përmbarim. Pra, ky është vetëm hapi i parë i inspektorit”, ka treguar Millaku.

Për të ardhur deri te ky vendim Inspektorati i Punës së Kosovës ka kryer procedurat e nevojshme për të gjetura shkaktarët e vdekjes së Tafil Tafallarit dhe ka hartuar një raport përfundimtar të ngjarjes, raporton Ndërtimi.info.

Ky raport thekson rrjedhën e ngjarjes në bazë të dëshmive të dëshmitarëve, mënyrën e organizimit të punës nga punëdhënësi dhe shkaktarët e vdekjes së punëtorit.

E, në lidhje me këtë raport, kompania “Bechtel & Enka” ka dorëzuar vërejtjet e saj pak para se Inspektorati i Punës të marrë vendimin e tij.

Se kjo kompani kishte vërejtje në lidhje me raportin ka thënë zëdhënësja e saj, Ela Ruçi në një përgjigje elektronike për Ndërtimi.info.

“BEGP mori Raportin e Inspektoratit të Punës ditën e enjte dhe ka dorëzuar komentet zyrtare në lidhje me aksidentin tragjik. Ne jemi te angazhuar të punojmë me të gjitha institucionet përkatëse dhe kemi dorëzuar të gjithë dokumentacionin e kërkuar. BEGP e konsideron sigurinë e punonjësve të saj si gjënë absolutisht më të rëndësishme”, ka nënvizuar ajo.

Derisa, Ruçi nuk ka treguar se cilat janë vërejtjet e kompanisë që ajo përfaqëson, këtë e ka bërë i dyti i Inspektoratit të Punës, Agim Millaku.

Millaku, ka deklaruara se “Bechtel & Enka” ka kundërshtuar vetëm pikën e organizimit të punës, duke u pajtuar me pikat tjera të raportit, edhe me shkaktarët e vdekjes së punëtorit.

“Vërejtjet kryesisht janë të orientuara në çështjen e kundërshtimit të raportit të Inspektoratit të punës në lidhje me organizimin e punës së punëdhënësit në vendin e punës. Në pjesën tjetër si shkaktar i aksidentit të gjeturat e Inspektoratit të Punës përputhen me të gjeturat e punëdhënësit, sepse edhe ai ka bërë një raport. Pra, janë të pajtimit të gjitha ato që inspektori i ka  vlerësuar”, ka theksuar ai.

Ndërkaq, raporti i Inspektoratit të Punës i hartuar më 3 nëntor, kishte gjetur se organizmi i punës nuk ka qenë në nivelin e duhur e i përcjellur mirë dhe punëdhënësi e ka vënë punëtorin në rrezik jete. Në bazë të këtij raporti “Bechtel & Enka” kishte bërë shkelje të disa dispozitave ligjore.

Tafil Tafallari nga Prizreni kishte gjetur vdekjen më 28 tetor gjatë punës në autostradën “Arbën Xhaferi”, saktësisht në fshatin Kovaçec të Kaçanikut.