Demonstruesit prorusë pushtuan ndërtesën qeveritare në Donjeck

Në qytetin ukrainas Donjeck, të dielën u mbajt një protestë e madhe e ithtarëve prorusë, të cilët në një moment pushtuan ndërtesën e administratës së atjeshme rajonale. Në Kijev vritet një gazetar.

Bota

06/04/2014 19:12

Gjatë mitingut është organizuar edhe djegia e kukullës së njërit prej udhëheqësve kontrovers të lëvizjes nacionaliste ukrainase Stepan Bender.

Protestuesit shpalosën flamuj të madh rusë, kurse pati edhe transparente m e mbishkrime “Republika e Donjeckit” dhe kundër NATO-s.

Në një zhvillim tjetër në kryeqytetin Kiev raportohet se është gjetur i vrarë gazetari dhe aktivisti i partisë nacionaliste ukrainase Svoboda. Sipas komunikatës së partisë së tij, ai është gjetur i vdekur dhe me gjurmë të torturimit, një ditë pasi ishte rrëmbyer nga persona të panjohur.

Gazetari Sergijenko para pak kohësh kishte marrë kërcënime dhe supozohet që rrëmbimi dhe vrasja e tij janë pasojë e shkrimeve të tij kundër një afaristi të fuqishëm nga rajoni.