Demonstrimi i pafuqisë

Kemi lëkundur me themel besimin e qytetarëve të Kosovës dhe të shteteve kryesore perëndimore, në aftësinë e politikës kosovare për të marrë vendimet e duhura për këtë shtet.

Lajme

01/03/2018 09:58

Nga: Blerim Shala

 Tri vjet të një kontesti rreth një Marrëveshjeje  (për kufi, me një shtet fqi), sollën, javëve të fundit, tri Marrëveshje midis liderëve dhe partive politike shqiptare për tejkalimin e një situate paradoksale politike, të cilat pastaj u pasuan me tri prishje të tyre dhe tri shtyrje të seancës së Kuvendit të Kosovës, në të cilën, më në fund, do të duhej të ndodhte Ratifikimi i Ligjit për shenjimin e kufirit në mes të Kosovës dhe Malit të Zi.

Por, në bazë të lajmeve të fundit që qarkullojnë në mediat kosovare, mund të ndodhë që gjithçka (sepse në Kosovë gjithçka mund të ndodhë, apo jo) të kthehet në pikën zero, për shkak të një fjalie, apo, edhe të një fjale të vetme.

Ndërsa, në rrumbullakësim të këtyre rrëfimeve rreth numrit tre, ishte paraparë dhe ishte planifikuar që Kuvendi i Kosovës, dhe politika kosovare në përgjithësi, pikërisht gjatë qëndrimit në Prishtinë në treshes më të lartë evropiane, Juncker, Mogherini, Hahn, të demonstronin fuqinë e vendimmarrjes, në dobi të qytetarëve të Kosovës, të izoluarve të fundit në Evropë.

Megjithatë, si qëndrojnë punën tani, (e tek ne befasitë për të keq asnjëherë nuk duhet të përjashtohen), javën e ardhshme do të ndodhë më në fund ajo që është dashtë të ngjajë në vitin 2015, apo, Kuvendi i Kosovës do ta Ratifikojë një Marrëveshje ndërkombëtare, e cila është kusht që qytetarët e Kosovës ta fitojnë të drejtën për të udhëtuar pa viza në Evropë.

Bërja e domosdoshmërisë virtyt, është njëri prej mendimeve më të njohura në politikën (dhe në qytetërimin) perëndimore. Apo, nëse diçka njëmend është e pashmangshme, atëherë, një politikë duhet të bëjë krejt çka duhet ashtuqë ajo domosdoshmëri të shfrytëzohet si forcë lëvizëse për proceset e dobishme për një shoqëri.

Te ne, edhe në rastin e kësaj Marrëveshjeje kufitare me një shtet mik, çfarë është Mali i Zi, ka ndodhë e kundërta. Së pari, ne menduam që me shtyrjen e saj, do të mund të ndodhë diçka krejtësisht e re, që do ta ndryshonte thelbësisht përmbajtjen e kësaj Marrëveshjeje. E shdërruam në një rrëmujë Kuvendin e Kosovës. E bëmë lëmsh skenën politike të vendit. Dëmtuam tej mase imazhin e këtij vendi në Botë. Shkaktuam krizë qeveritare dhe parlamentare. Hymë në tjera zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare, duke menduar që disi do të bëhemi më të mirë, më të mençur, më të ditur. Bëmë që të krijohen rrethanat kur kthehet mbrapsht, injorohet apo edhe nënçmohet, fjala e shtetit pa të cilin as që do të shpëtonim ndonjëherë, as që do të çliroheshim, as nuk do të bëheshim shtet.

U bëmë pra përrallë në mes vete, dhe në raportet me Botën.

Dikush këtu mund të thotë me të shpejtë që nuk duhet të vazhdohet me këtë qasje, apo, me këtë analizë, sepse me rëndësi është që disi, kështu të dërrmuar e të rraskapitur, do të mbërrimë në cak së shpejti (javën tjetër pra), dhe që pastaj, të gjitha këto hjeka e mundime dhe përplasje, do të harrohen. Po, nuk ka dyshim që kryesorja është që të kryhet edhe kjo punë, dhe që të mëkëmbet shpresa që deri në fund të këtij viti, do ta fitojmë të drejtën që si evropianë çfarë jemi, të udhëtojmë pa viza në Evropë. I gjithë ky rrëfim pra, kështu do të mund ta ketë një përfundim të mirë. Megjithatë, si jemi sjellur tash e gati tre vjet karshi kësaj sprove jetike për një shtet, çfarë është ajo e definimit të kufijve me shtetet fqinje, objektivisht, ne kemi lëkundur me themel besimin e qytetarëve të Kosovës, dhe për më keq, edhe të shteteve kryesore perëndimore, në aftësinë e politikës zyrtare kosovare për të marrë vendimet e duhura për këtë shtet.

Jemi përballur pra me një ngërç në vendimmarrjen e politikës kosovare për një temë madhore. Pastaj, kanë dalë në shesh të gjitha mosmarrëveshjet politike dhe mosdurimet personale, të cilat kanë mëdyshur atë cilësinë elementare të një stabiliteti bazik të funksionimit të një politike, të një qeverisjeje.

Jemi treguar të ngathtë, të paorganizuar, të pafuqishëm, për t’i marrë vendimet e domosdoshme për këtë vend. E kemi bërë të pafuqishme edhe SHBA-në si shtet në raportin me ne, në përpjekjet e parreshtuar të saj  (të cilat ditëve të fundit morën trajtën edhe të pranisë së vazhdueshme të Ambasadorit Delawie në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës), për të na ndihmuar në këtë çështje.

Kjo situatë kurrë më nuk do të na duhej të na përsëritej./Lajmi.net/