Demolli i habitur me deklaratën e Zemajt se ai s’guxon nga ShIK-u të përmend FARK-un

Ministri i FSK-së, Haki Demolli, është shprehur i habitur, teksa i është përgjigjur akuzave të deputetit nga radhët e partisë së tij, Armend Zemaj, që ka thënë se Demolli ka frikë nga SHIK-u për të përmendur FARK-un dhe komandantët e Betejës së Kosharës.

Lajme

19/04/2015 18:20

Në një postim të gjatë në Facebook, Demollii është përgjigjur deputetit Zemaj.

 

“Në shenjë respekti dhe përkujtimi për betejën e Kosharës dhe kontributin e jashtëzakonshëm të komandantëve dhe heronjve të kombit Agim Ramadani dhe Sali Çekaj, këtyre ditëve nën patronatin e kryeministrit të Kosovës, z. Isa Mustafa, është organizuar manifestimi tradicional ‘Ditët e Shqipes’. Në kuadër të këtij manifestimi, me dt. 09.04.2015 është mbajtur akademia përkujtimore dhe janë organizuar homazhe në varrezat e dëshmorëve të rënë në Koshare”, ka shkruar ai.

“Kurse me dt. 11.04.2015, është organizuar akademia përkujtimore për Komandanin Agim Jashari, ndërsa sot është organizuar akademia përkujtimore për Komandantin Sali Çekaj. Për këto dy akademi përkujtimore, nga ana e Kryeministrit Isa Mustafa, jam caktuar që si Ministër i FSK-së të mbajë nga një fjalë rasti”, ka shtuar më pas.

“Dhe vërtetë, konform marrëveshjes me kryeministrin Mustafa, unë në praninë e familjarëve të heroit Sali Çekaj, qindra familjarëve të dëshmorëve, veteranëve të Brigadës 138 “Agim Ramadani”, veteranëve të UCK-së, ministrave, deputetëve të Kuvendit të Kosovës, kryetarëve të komunave, aktivistëve të çështjes kombëtare dhe të pranishmëve të tjerë, në emër të Qeverisë së Kosovës kam mbajtur një fjalë të rastit në përkujtim dhe respekt të heroit të popullit Sali Çekaj dhe të bashkëluftëtarëve të tij, pjesëmarrës në Betejën e Kosharës”.