Demir Ngucati nga Skenderaj është ai që mori hakun për Isa Boletinin

Në nëntorin e vitit 1943, me urdhër të Mehmet Gradicës, Demir Ngucati nga Marina dhe Rifat Dakolli nga Rezalla, kishin vrarë në shtëpinë e tij në Skenderaj, Nikolla Gjillasin, vrasësin e Isa Boletinit. Për këtë vrasje, ata fillimisht janë dënuar me pushkatim, por shkalla e dytë ua ksihte ulur dënimet dhe derisa Demiri është mbytur me injeksion në burgun e Nishit, Dakolli ka mbajtur 12 vjet burg.

Lajme

12/06/2015 08:59

Heroi kombëtar Isa Boletini, nuk ka shkuar gjakhumbur, siç zakonisht thuhet për ata që vriten e nuk u merret haku. Ishte Demir Ngucati nga Marina e Skenderajt, i cili në nëntorin e vitit 1943, 27 vjet pas vrasjes së Isa Boletinit në Podgoricë, ka nxjerrë gjakun.

Në të vërtetë, ishte Mehmet Gradica, ai i cili kishte kërkuar vullnetarë që të shkojnë e ta vrasin “çetnikun” Nikolla Gjillas, i cili jetonte qetë në një shtëpi në qytetin e Skenderajt, që asokohe njihej si Serbica.

“Pse po shkoni me ba luftë në Koloshin, këtu e kemi një çetnik të cilin duhet ta vrasim, e ai është Nikolla Gjillas, i cili po organizon grupe çetnike. Ne (Mehmeti me xhandarët e tij) nuk kemi mundësi ta vrasim, sepse atë po e mbron Xhafer Deva, me kërkesë të gjermanëve, por duhet këtë ta bëjë dikush nga civilët”, citon fjalët e Mehmet Gradicës, Jetullah Ngucati, tani 82-vjeç, i cili është nip i Demirit. Sipas tij, Demiri ishte paraqitur vullnetar dhe ai i kishte thënë Mehmet Gradicës: “Unë shkoj edhe e vras, nuk shkoj në Koloshin pa e vra Nikollën”. (Zëri)