Demi: Paqartësi në premtimet për zhvillim ekonomik

Agron Demit mendon se premtimet për hapjen e vendeve të reja të punës të bëra nga partitë politike gjatë fushatës, nuk janë reale. Ai ka treguar për një varg problemesh që po pengojnë zhvillimin ekonomik.

Lajme

07/06/2014 15:21

Drejtori ekzekutiv i Institutit për Studime të Avancuara “GAP”, Agron Demi  thotë se premtimet e liderëve partiakë për hapje të vendeve të punës deri në 200 mijë, brenda një mandati 4 vjeçar i ka cilësuar vetëm propagandë  elektorale.

Demi në një intervistë për lajmi.net, shprehet se ajo që nuk ka ndodhur për një periudhë  14 vjeçare, nuk mund të ndodhë brenda një mandati.

Lajmi.net: Si i vlerësoni  në përgjithësi  programet e partive politike sa i përket zhvillimit ekonomik të vendit?

Demi: Shenjë dalluese e kësaj fushate zgjedhore dhe programeve të partive politike ka qenë ekonomia si shtyllë kryesore e tërë fushatës. Andaj, kushdo që zgjidhet në krye të qeverisë, në fund të katër viteve do të mbahet përgjegjës për atë se çka ka bërë për ekonominë e vendit, e jo nëse i ka përmbyllur me sukses negociatat me Serbinë apo ka siguruar njohje. Por, partitë politike në programet e tyre nuk kanë dhënë shpjegime të detajuara se si parashohin të arrijnë zhvillimin ekonomik dhe cila është ajo reformë madhore e cila do të bënte kthesën e madhe në ekonomi.

Lajmi.net: Liderët e partive kryesore kanë premtuar numër të madh të hapjes së vendeve të punës, sa mendoni se janë të realizueshme këto premtime?

Demi: Kosova ka potencial për zhvillim ekonomik dhe ky vend nuk është i destinuar që të ketë gjithmonë një nivel kaq të lartë të papunësisë. Por, për tu arritur kjo nuk mjafton një mandat katër vjeçar. Ajo çka nuk është arritur për 14 vite, është vështirë të arrihet për 4 vitet në vijim. Po një gjë është e sigurtë: ekonomia e Kosovës në periudhën afatmesme nuk do të arrijë që të gjenerojë 50 mijë vende të reja të punës në vit apo 200 mijë brenda katër vjetëve. Thjeshtë, për tu arritur një gjë e tillë kërkon kohë, reforma afatgjata, përmirësim të politikave jo vetëm në ekonomi, por edhe në arsim e sundim të ligjit.

Lajmi.net: Po ashtu liderët partiakë kanë premtuar rritje të zhvillimit ekonomik deri në 10 për qind. A mendoni se mund të ndodhë një gjë e tillë brenda katër viteve nëse merret parasysh shkalla e zhvillimit ekonomik gjatë këtyre viteve?

Demi: Liderët partiakë në këtë fushatë kanë premtuar rritje ekonomike deri në 15%, diçka e cila do të jetë e paarritshme në këtë ambient aktual për bërje të biznesit. Sipas parashikimeve të Bankës Botërore për rritjen ekonomike të vendeve të botës për periudhën 2013-2015, asnjë vend në botë nuk do të ketë rritje prej 15% në vit, janë vetëm tri vende që parashihet të kenë rritje ekonomike mbi 10% në vit, e ato janë kryesisht vende të cilat do të rrisin eksportin e naftës (Iraku dhe Timori Lindor) apo eksplorimin dhe shitjen e arit e uraniumit (Mongolia). Premtimet se futja e 1.5 miliardë eurove shtesë në ekonominë e vendit, apo shfrytëzimi në maksimum i qymyrit, do të rrisin ekonominë e vendit në numra dy shifrorë, janë premtime të pabaza dhe të parealizueshme.

Lajmi.net: Sipas jush, cili është problemi më i madh sa i përket zhvillimit ekonomikë të vendit?

Demi: Nuk mund të ketë një problem të vetëm, por janë një zinxhirë problemesh të cilat vetëm nëse zgjidhen të gjitha, mund të japin shpresë për zhvillim ekonomik. E këto mori problemesh kanë të bëjnë me mos sundimin e ligjit, qasjen e kufizuar në financa, niveli i ulët i përgatitjes profesionale të forcës punëtore, politikat tregtare të cilat po ngufasin prodhuesit vendorë. Por nëse do të më duhej të veçoja vetëm një problem për gjendjen e rëndë ekonomike në vend, ajo do të ishte politika apo qeverisja. Mënyra e qeverisjes dhe aftësia e liderëve politikë është element shumë me rëndësi në zhvillimin ekonomik të një vendi. Kosovës i duhet një mendësi e re e qeverisjes, e cila në sistem demokratik të qeverisjes dhe në një ekonomi të tregut të lirë, do të arrijë të bëjë reformat e nevojshme për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.

Lajmi.net: Cilët hapa do duhej ti ndërmerr qeverisja e ardhshme për zhvillimin e vendit?

Demi: Hapi i parë do të duhej të ishte hartimi i një strategjie të përgjithshme ekonomike të vendit. Strategji e cila identifikon fushat kryesore të cilat paraqesin potencial të zhvillimit ekonomik. Ato potenciale të identifikuara të futen në përdorim, me qëllim që të gjenerojnë rritje ekonomike. Në bazë të atyre potencialeve, të orientohet sistemi arsimor profesional, ku kuadrot e punës përfitojnë shkathtësitë e nevojshme. Në bazë të kësaj strategjie, evitohen barrierat e të bërit biznes, reformohet sistemi ligjorë dhe kontestet gjyqësore zgjidhen me kohë dhe drejtë.