Demi: Pagat duhet të rriten kur të pastrohet administrata e mbingarkuar

Drejtori ekzekutiv i institutit GAP, Agron Demi ka kritikuar kërcënimin që po e bëjnë sindikata për mos rritje të pagave.

Lajme

24/12/2014 14:35

Ai ka thënë se kërcënimi i tyre për rritje të pagave, është i njëjtë me ndonjë kërkesë për mos pagim të tatimeve.

Demi në një postim në Facebook ka shkruar se Kosova, në krahasim me vendet e rajonit, ndan përqindjen më të madhe buxhetore për paga.

Ai ka thënë se pagat duhet të rriten atëherë kur bëhet vlerësimi i performancës në punë dhe të largohen nga puna 30% e të punësuarve nga administrata e mbingarkuar me staf.

“Mënyra se si sindikatat po kërcënojnë me greva nëse nuk rriten pagat 25% çdo vit, është njësoj sikur qytetarët të protestonin se nuk do e paguajmë asnjë cent shtetit për taksa dhe tatime”.

“Më shumë se 58% e buxhetit të 2015 shkon për paga dhe subvencionim të kategorive sociale. Në krahasim me vendet e rajonit, Kosova ndan përqindjen më të madhe buxhetore për paga”.

“Qeveria nuk do të duhej të merrej vetëm me kënaqjen e apetiteve për ata që punojnë në sektorin publik. Por buxheti duhet të mbështes përpjekjet qeveritare për të krijuar kushte për punësim të atyre mijërave të papunëve në sektorin privat”.

“Do të pajtohesha që të ketë rritje pagash në sektorin publik, vetëm atëherë kur ka një vlerësim të drejtë të performancës së të punësuarve dhe largohen rreth 30% e të punësuarve nga administrata e mbingarkuar me staf”, ka shkruar Demi.