Dëmi.Com

Do të duhej të mbledhim mend, si politikë, si shoqëri shqiptare, kudo që jemi, para se të bëhet tepër vonë. E në atë udhë jemi duke ecur. Për tu bërë tepër vonë.

Opinion

09/07/2014 12:32

Nëse do të kërkohej këto ditë emri i një domain-i të ri në Botën e Internetit, i cili do t’i rrinte mirë qasjes politike shqiptare ndaj ngjarjeve të fundit në Maqedoni, me gjasë, ky domain do të quhej: Dëmi.Com.

Do të mund të gjendeshin emra të tjerë të ngjashëm, e që të gjithë ata me tw parwn do të tregonin që politika shqiptare, kudo që është, në Maqedoni, në Kosovë, në Shqipëri, po karakterizohet me një përzierje të popullizmit me injorancën masive politike, me një ndërlidhje gjithnjë e më të fuqishme të papërgjegjshmërisë institucionale me gatishmërinë që gjithçka të shndërrohet në një lojë të rëndomtë politike me përfitime të llojit ‘Gjithçka 1 Euro’.

Nëse statusi i politikës së shqiptarëve kudo që janë, parë nga perspektiva e Washingtonit dhe Brukselit, do të mund të krahasohej me një Llogari bankare, do të mund të thuhej që kjo llogari, e cila ta zëmë, në vitet 1999-2001, i kishte 100 njësi monetare (imagjinare), dhe si e tillë, ishte më e pasura në rajon, përballë fqinjëve tonë, tash e sa vjet është në një tatëpjetë të vazhdueshme, duke rënë aty në nivelin e 20 njësive monetare, me perspektivën e qartë që për pak kohë të mbërrijë në stadin njëshifror.

Të shohim për shembull, çka ka ndodhë në Maqedoni, ndër shqiptarët e atjeshëm, në ditët e fundit, në përpjekje për të shprehur pakënaqësinë me zhvillimet e fundit në këtë shtet.

Në ditët e shkuara, janë shfaqur hiç më pak se pesë modele politike të organizimit të protestave, të cilat janë ndërtuar mbi këto kritere: kriterin etnik, kriterin fetar, kriterin demokratik, kriterin artistik (shfaqja me figurat e aktruara të Skënderbeut dhe Adem Jasharit në protestën e mbajtur në Strugë), dhe kriterin rebelues-social.

Diçka e tillë, siç dihet, është paraqitur në Shqipërinë e vitit 1913, me pasojat e njohura për të gjithë ne.

Ece merre vesh çka duan shqiptarët në këtë rast, apo, pse ata janë të pakënaqur në Maqedoninë e ditëve të sotme?

A është problem pra identiteti i tyre nacional, identiteti fetar, pozita e tyre në një sistem ekzistues shtetëror, statusi i tyre social, apo, të gjitha së bashku?

Dihet fare mirë se çka mund të bëhet dhe çka nuk do të duhej kurrë të ndodhte në artikulimin e pakënaqësisë me një vendim gjyqësor, me relacionet që ekzistojnë midis shqiptarëve dhe maqedonëve në Maqedoni, me marrëdhëniet në mes të partive politike që janë në opozitë dhe atyre që janë në Qeveri.

Nëse shkaktohet, çfarëdo dëmi politik, gjyqësor, social, ai nuk mund dot të ndreqet a të zhbëhet duke vë në dyshim identitetin themelor që kemi, duke ngritë njëqind tema shtesë në ndërkohë, të të gjitha natyrave, të cilat bëjnë që ne të mund të shihemi dhe të vlerësohemi si politikë e çakorduar (mbarëshqiptare), që mund madje të kërcënojë sigurinë dhe stabilitetin e gjithë rajonit. 

Të kthehemi pak në të kaluarën, në vitet 1998-2001.

Çka bënin në atë kohë shqiptarët në Kosovë, në Maqedoni, në Luginën e Preshevës? Si sillej në atë kohë shteti i Shqipërisë?

Çfarë karakteri kishin lëvizjet politike dhe jo vetëm politike të shqiptarëve në atë kohë?

Përgjigjja dihet prej të gjithë neve. Këto ishin Lëvizje nacional-demokratike dhe krejtësisht pro-perëndimore. Kauza ishte e drejtë, situata ishte e qartë, dihej se kush është përgjegjës për situatën e krijuar, dhe pse është i domosdoshëm angazhimi politik, ushtarak dhe ekonomik i Perëndimit, në adresimin dhe zgjidhjen e çështjeve të ngritura prej shqiptarëve.

Në ato vite, ndodhi fuqizimi më i madh politik i shqiptarëve që prej bërjes së shtetit të Shqipërisë, në vitin 1912.

Arritëm këtë fuqizim kombëtar, sepse dëshmuam që synimet tona janë në përputhje të plotë me Politikën e SHBA-së dhe të BE-së për ta paqëtuar dhe demokratizuar këtë pjesë të Evropës së pari, dhe për ta integruar në Paktin NATO dhe në Bashkimin Evropian, së dyti.

Viteve të fundit, me dashje a pa dashje, me gabime të lloj-llojshme, me marrëzitë e nduarnduarta, jo vetëm politike, jo vetëm të atyre që janë në krye të institucioneve, po e kontestojmë këtë relacion të krijuar në ato vite, pa të cilin relacion, ta zëmë, Kosova kurrë nuk do të çlirohej dhe kurrë nuk do të bëhej shtet i pavarur.

Do të duhej të mbledhim mend, si politikë, si shoqëri shqiptare, kudo që jemi, para se të bëhet tepër vonë. E në atë udhë jemi duke ecur. Për tu bërë tepër vonë.

(Autori është Nënkryetar i AAK-së dhe kolumnist i rregullt i lajmi.net)