Demarkacioni i kufirit me Serbinë, në fazën e tretë të dialogut

Pavarësisht deklarimeve të palës kosovare se me anë të dialogut në Bruksel do të arrihen marrëveshje që sigurojnë paqe me shtetin serb, zyrtarë të Serbisë, vazhdojnë të japin deklarata kërcënuese.

Lajme

01/09/2014 22:13

Deklarata e djeshme e kryeministrit serb, Aleksandër Vuçiq, sipas të cilit xhandarmëria serbe nuk do të paralajmërojë më askënd por do të qëllojë këdo që kalon vijën kufitare, ka nxitur reagime në Kosovë.

Edita Tahiri, shefe e delegacionit kosovar në dialog teknik, kërkon nga Vuçiqi që ta sqarojë deklaratën e tij, duke kërkuar nga ai përgjigje nëse e kishte fjalën për kalimet ilegale apo për qarkullim të lirë, pasi që kjo e fundit, sipas Tahirit, tanimë është pjesë e marrëveshje së firmosur në Bruksel.

Sa i përket demarkacionit të kufirit ndërshtetëror, Tahiri i tha RTK-së se Kosova si pikë kryesore për fazën e tretë të bisedimeve në Bruksel, mes tjerash e ka edhe këtë çështje.

“Demarkacioni i kufirit ndërshtetëror është paraparë të shqyrtohet në fazën e tretë të dialogut”.