Demaliaj: Vetëvendosje është shndërruar në një Sputnik shqip

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shkumbin Demaliaj, thotë se Lëvizja Vetëvendosje e liderit Albin Kurti është shndërruar në një Sputnik shqip.

Lajme

19/03/2018 23:19

“Ish-Lëvizja Vetëvendosje, se për mu nuk ekziston se ka marrë timonin mekanizmi që herën e kalume i ka fitu 12 deputet dhe me Visarin i kanë fitu 32. Visari u nda, po kjo s’po dihet deri ku mundet me shku, por në momentet kur më së shumti i duhet Kosovës me tejkalu problemin në fushën e integrimit, këta janë shndërru në një Sputnik shqip,” është shprehur Demaliaj në TribunaChannel.

Sipas tij, deklaratat e Vetëvendosjes janë sikur të atyre që mendojnë me kufizu lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe integrimin e Kosovës “në mekanizmat që na presin me vite”.

Ai shprehë bindjen se Kosova po i afrohet përfundimit të gjitha këtyre kushteve të prapame në udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave.

“Është e vërtetë se disa zyrtarë kanë thanë se demarkacionin e kanë futë si kusht vet kosovarët, por e kanë menduar për ta bërë më të ekzagjeruar këtë problem, për shkak se me tejkaluar ma lehtë.”

Deputeti i Demaliaj thotë se është koha e fundit që t’i jepet epilog çështjes së vizave.

“Prej 95ve, 93 janë përfunduar, besoj nesër kryhet i 94ti edhe me paketën e re ligjore do të jepet sinjali i parë edhe BE-së, sepse nuk është një kusht por detyrim që duhet në vazhdimësi të përparohet në sundimin e ligjit,” vlerëson ai.

Debati vije një ditë para se Kuvendi i Kosovës t’i japë një përgjigje temës së tejzgjatur të demarkacionit me Malin e Zi, që po mbanë peng liberalizimin e vizave, krahas luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar./GazetaTribuna/