Demaçi flet pse Isa Mustafa s’ka çka i bën Jabllanoviqit

Adem Demaçi mendon se Isa Mustafa nuk mund të vendosë për shkarkimin e ministrit Aleksandar Jabllanoviq, pas komenteve që bëri në ditën e Krishtlindjeve Ortodokse, kur qytetarët e Gjakovës i quajti “egërsira”.

Lajme

13/01/2015 19:22

Ndërkohë që ministri serb ka vazhduar me deklaratat e cilësuara si provokuese, duke thënë se nuk e di që në Kosovë kanë ndodhur masakra gjatë kohës së luftës, Qeveria ka preferuar ta vazhdojë heshtjen.

Në një prononcim për Politiko.net, Adem Demaçi flet për këtë çështje dhe shpjegon pse kryeministri Mustafa nuk mund të bëjë asgjë në relacion me Jabllanoviqin, sepse nuk mund të shpërfillë politikat e BE-së.

“Kjo e keqe ka filluar shumë më herët. Sepse, ne nuk patëm qare, pasi i dëgjuam miqtë tanë, të cilët menduan se është e lehtë të merren me çetnikët. Rezoluta 1244, Marrëveshja e Kumanovës, Pakoja e Ahtisaarit, të gjitha këto ishin lëshime që i bëmë për hir të miqve tanë ndërkombëtarë. Kështu që, jemi në një situatë të vështirë”, u shpreh Demaçi pë Politiko.net.

Sipas Demaçit, Isa Mustafa nuk mund ta shkarkojë ministrin Jabllanoviq, sepse “këta të huajt po duan që Serbinë ta marrin me të mirë”.

“Tash jemi në një situatë kur ne duam t’i bashkohemi politikës europiane, e cila po mundohet ta tërheqë Serbinë nga ajo politikë e dhunës, politikë hegjemoniste. Zyrtarët europianë dhe amerikanë nuk po shohin që ka rrugë tjetër, vetëm duke na detyruar që të bëjmë lëshime, e kështu po mundohen ta mbajnë njëfarë kontakti me Serbinë”, tha Adem Demaçi.

Sipas tij, Kosova do ta vazhdojë dialogun me Serbinë dhe sërish do të kërkohen lëshime, deri në fazën kur nuk ka më të bëhen lëshime.

Ai rikujton se për të aderuar në BE janë disa kushte të rëndësishme dhe të rënda.

“Serbia nuk besoj që do të mund t’i plotësojë të gjitha këto kushte. Serbia duhet ta pranojë Kosovën si shtet të pavarur, ndryshe nuk mund të anëtarësohet në BE”, u shpreh Demaçi.

Prandaj, sipas tij, duhet pasur njëfarë mirëkuptimi për Isa Mustafën, sepse ai nuk është një njeri që mund të vendosë dhe ta shpërfillë politikën e Europës.

“Në rend të parë, ai (Jabllanoviq) po e poshtëron vetë Isa Mustafën. Mirëpo, Isa Mustafa po e përfill atë farë poshtërimi”.

“Ai po thotë që nuk e ka ditur për masakrat. Si nuk e ka ditur ai, kur krejt bota e ka ditur për masakrat që kanë ndodhur në Kosovë. Por, në natyrën e kriminelëve serbë dhe çetnikëve serbë është dyfytyrësia”.

“Unë e di se Gjakova sigurisht nuk mund të pajtohet që të vijnë aty çetnikët dhe të hedhin valle, kinse po merren me punë fetare. Gjakova nuk mund t’i injorojë këto poshtërime që po na i bëjnë. E kuptoj Gjakovën, e kuptoj popullin e Kosovës”.

“Kosova gjendet në një situatë të vështirë, delikate, sepse ne nuk u çliruam dot vetë. Ne nuk mundëm ta çlirojmë dot veten”.

“Krejt këto janë lëshime tonat, që po na imponohen nga miqtë tanë”.

“Kjo situatë është aq e ndërlikuar dhe aq e vështirë saqë qytetari i thjeshtë nuk e kupton”, deklaroi Demaçi për Politiko.net.