DELL pushon puntorët

Duket se në DELL ka filluar të ndikojë efekti i rënies së kompjuterëve personalë në treg. Sipas disa burimeve të besueshme të “The Register”, kompania do të pushojë në masë të madhe nga puna stafin nga zyret anembanë botës.

Lajme

11/01/2014 19:13

Siç raportohet, Dell do të largojë nga puna 20% të stafit të shitjes në SHBA dhe 30% të stafit të shitjes dhe marketingut në Europë, Lindje të Mesme dhe Afrikë. Akoma nuk dihet shifra e saktë e punëtorëve që do të pushohen nga puna.

Dërgesat e kompjuterëve personalë në botë (Dekstop e Laptop) kanë shënuar rënie të njëpasnjëshme në 7 çerekvitet e fundit. Kjo rënie është ndikuar sidomos nga tabletët dhe smartfonët.

Dërgesat globale të kompjuterëve personalë në vitin 2013 kapën shifrën e 315.9 milionë njësive, 10% më pak se në vitin 2012. Lenovo mban primatin si shitësi më i madh në vitin 2013, HP ka vendin e dytë, kurse DELL është radhitur në vendin e tretë.

Në një deklaratë në lidhje me pushimet nga puna, kompania DELL mes tjerash theksoi: “Vazhdimisht vlersojmë dhe zbatojmë mundësi të ndryshme për të përmirësuar efikasitetin e kompanisë. Kur të jetë e nevojshme, ne do të marrim vendime të vështira në mënyrë që të sigurojmë suksesin tonë afatgjatë. Disa nga këto vendime mund të ndikojnë në fuqinë tonë punëtore.”