Deliu: Në qershor presim rekomandim pozitiv për liberalizimin e vizave

Kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane, Blerta Deliu, është shprehur optimiste se në muajin qershor Kosova do të marrë një rekomandim pozitiv për liberalizimin e vizave.

Lajme

07/05/2018 12:38

Duke komentuar vizitën e fundit të komisionit faktmbledhës të BE-së në Kosovë, ajo tha se ky delegacion është informuar për të dhënat e fundit në luftimin e krimit dhe korrupsionit si një nga kushtet e fundit për liberalizimin e vizave.

Sipas saj, Kosova ka shënuar rezultate të mira sa i përket pakos ligjore që lidhen konkretisht me forcimin e rendit dhe ligjit.

“Besoj se ky delegacion me të dhënat që ka marrë në Prishtinë në qershor do të arrijë të nxjerrë një rekomandim pozitiv për liberalizimin  vizave për Kosovën”, tha ajo.

Deputetja e PDK-së, Deliu-Kodra tha se luftimi i krimit të Korrupsionit jo vetëm që është një kriter që duhet përmbushë Kosova , por që  forcon rrugën e Kosovës jo vetëm në integrime evropiane por edhe në mekanizma të ndryshëm rajonal, u shpreh Deliu në emisionin Aktual në Radio Televizionin e Kosovës.

Ajo tha se nëse këtë vit nuk ndodhë liberalizimi i vizave kjo do të ishte shumë dekurajuese për qytetarët e vendit, derisa shfaqi shpresën se në muaj qershor do të nxirret një rekomandim pozitiv për liberalizimin e vizave për shkak siç tha  Deliu, të rezultateve që  kanë shënuar institucionet e shtetit në drejtim të luftimit të krimit dhe korrupsionit.