Delawie: Luftimi i korrupsionit, e ardhmja juaj

Ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie gjatë një vizite në Malishevë në kuadër të një programi të organizuar në Qendrën e Kompetencës ka dërguar mesazhe për të rinjtë, lidhur me dëmin dhe pengesat që i shkakton korrupsioni.

Lajme

07/12/2017 15:02

Diplomati amerikan duke folur për këtë dukuri, iu tha pjesëmarrësve, që ishin kryesisht nxënës të shkollës së mesme profesionale, se “luftimi i korrupsionit, është e ardhmja e juaj”.

“Ambasada e SHBA-së dhe Qeveria e Kosovës, janë thellë të përkushtuara në luftimin e kësaj dukurie dhe dukurive tjera që pengojnë zhvillimin e vendit. Kjo është lufta juaj sot, pasi ju dhe familjet e juaja, keni sakrifikuar aq shumë, për të ardhur ku jeni sot, prandaj luftojeni korrupsionin, në çdo vend, në çdo formë, në çdo nivel. Kjo është edhe përgjegjësi qytetare”, tha mes tjerash Delawie.

Ambasadori Delawie, atje është pritur edhe nga Kryetari i Malishevës, Ragip Begaj i cili theksoi se “Malisheva është njëra ndër komunat më të sigurta, ku ekstremizmi dhe dukuritë tjera, nuk kanë vend”.