Del Piero, tre gola kundër Buffonit

A-League All Stars me Alessandro Del Pieron do të takohen me Juventusin në ndeshje miqësore. Sulmuesi do të ndeshet me Gianluigi Buffonit, të cilit në të kaluarën i ka shënuar tri herë.

Sport

10/08/2014 11:53

Dueli miqësor që do të zhvillohet sot mes A-League All Stars dhe Juventusit do të sjellë përballë Alessandro Del Pieron dhe Gianluigi Buffonin.

Ish kapiteni i Bianconerëve, dhe kapiteni i tanishëm kanë një miqësi të ngushtë.

“Takimi me Del Pieron do të jetë romantik, shpresoj të mos bëjë veprimet e tij të zakonshme dhe mos të më shënojë gol”, deklaroi Buffon.

Kjo do të jetë hera e parë që Del Piero takohet me ish skuadrën e tij. Ndërsa, në të kaluarën, Del Piero i ka shënuar tri herë Buffonit. Për herë të parë më 23 nëntor 1997 në barazimin 2:2 në Delle Alpi.

Pastaj më 9 janar 2000 në udhëtimin në Tardini që po ashtu u mbyll në barazim 1:1. Kurse, goli i fundit i Del Pieros ndaj Buffonit ishte më 7 maj 2000 në triumfin 1:0 në Torino.

Sot, Del Piero do të mundohet ta shtojë këtë statistikë. Dueli do të fillojë në ora 11:30.