Del Piero në Botëror

Sulmuesi i madh italian Alessandro Del Piero do të jetë i angazhuar gjatë Kampionatit botëror në Brazil. Jo në skuadrën e Azzurrëve, por si analist në televizionin italian Sky.

Sport

28/05/2014 20:53

Alessandro Del Piero do të jetë pjesë e Kampionatit botëror.

Mos u ngutni, sulmuesi i madh italian nuk do të jetë i inkuadruar në ekipin e selektorit Cesare Prandelli, mirëpo është angazhuar nga televizioni Sky për të qenë analist, gjatë garës në Brazil.

Ekipit të gjerë të Sky, të përbërë nga emra të njohur si Gianluca Vialli e Alessandro Costacurta i është shtuar edhe Del Piero, që me përvojën e tij të madhe, do të shërbejë analiza të dobishme gjatë ndeshjeve të Botërorit.

Del Piero është ende futbollist aktiv, ndonëse tashmë disa javë pa skuadër pasi ka vendosur të mos e vazhdojë kontratën e tij me klubin australian, Sydney FC.

Mirëpo, ish kapiteni i Juventusit ka bërë të ditur se ende është i uritur për lojë dhe ndoshta skuadrën e tij të re do të na e zbulojë derisa është në komentim të ndonjë dueli të Botërorit.