Bie nga funksioni njësia B2 e TC Kosova B, priten reduktime të energjisë

Nga KESCO kanë informuar se në mesnatë ka dalë nga sistemi njësia B2 e Termocentralit Kosova B.

Lajme

12/08/2016 12:41

Në njoftim për media thuhet se kjo njësi prodhon më tepër se 30 për qind të tërë prodhimit vendor,  prandaj çdo ndalje e paplanifikuar e saj shkakton probleme afatshkurtra në furnizim.

“Vetëm dy njësi të Termocentralit Kosova A janë në operim të cilat po prodhojnë rreth 260 megavatë/orë. KESCO ka reaguar menjëherë dhe ka siguruar sasinë që e mbulon deficitin ndërmjet konsumit dhe prodhimit. Por, kjo sasi e energjisë elektrike do të mund të jetë në dispozicion të konsumatorëve më vonë gjatë ditës duke u bazuar në kapacitetet transmetive ndërkombëtare në dispozicion. Në rrethana të rregullta, kapacitetet e gatshme qartësohen pas katër orësh”, thuhet në njoftim.

Më tej në njoftim thuhet se në këto rrethana, për një kohë të shkurtër, konsumatorët mund të kenë reduktime minimale të energjisë elektrike.

“KESCO i siguron të gjithë se duke i marrë parasysh rrethanat, ndërmerr gjithnjë të gjitha masat që të furnizojë qytetarët në mënyrën më të mirë të mundshme me energji elektrike”, thuhet në fund të njoftimit./Kp