Del Bosque u beson Kampionëve

Vicente Del Bosque ka njoftuar se do t’i besojë gjeneratës së suksesshme të futbollistëve, të cilët e ndihmuan të shpallej kampion evropian dhe botëror, për Botërorin 2014. Të premten, 63 vjeçari e publikoi listën e futbollistëve për miqësoren e së mërkurës ndaj Italisë, ndërsa yjet si Fernando Torres, David Villa, Juan Mata e Fernando Llorente,…

Sport

02/03/2014 16:49

Vicente Del Bosque ka njoftuar se do t’i besojë gjeneratës së suksesshme të futbollistëve, të cilët e ndihmuan të shpallej kampion evropian dhe botëror, për Botërorin 2014.

Të premten, 63 vjeçari e publikoi listën e futbollistëve për miqësoren e së mërkurës ndaj Italisë, ndërsa yjet si Fernando Torres, David Villa, Juan Mata e Fernando Llorente, nuk u përfshinë në të.

Sidoqoftë, kjo nuk nënkupton se ata nuk do të jenë pjesë e ‘Brazil 2014’, pasi ish trajneri i Real Madridit po planifikon ta gërshetojë një ekip me lojtarët që kontribuuan në triumfin e Botërorit 2010 dhe Evropianit 2012, me futbollistë të rinj dhe të talentuar, që janë shfaqur në dy vjetët e fundit.

“Gjenerata e futbollistëve të shkëlqyeshëm që na ndihmoi ne të bëhemi kampionë, kanë vend në zemrën time. Mirëpo, unë po ashtu duhet ta përdor mendjen dhe të jemi realistë, na nevojitet të jemi fleksibilë dhe t’ua japim rastin edhe atyre që mund t’i japin diçka ekipit. Do të isha trajner i dobët nëse nuk do të veproja në këtë mënyrë”, deklaroi Del Bosque.

Ky i fundit i ftoi sulmuesit Alvaro Negredo e Diego Costa, të cilët do të mundohen ta tregojnë veten, për ta fituar një vend në listën e të ftuarve për Botërorin e verës.

Spanja do ta hap kampanjën e evenimentit më të rëndësishëm të futbollit në botë në Grupin B në Salvador më 13 qershor kundër Holandës, të cilën e kishte mposhtur në finale të Botërorit 2010 me rezultat minimal, 1:0.

Më pas ‘La Roja’ do të luajë me Kilin në Rio de Janeiro më 18 qershor dhe me Australinë në Curitiba, 5 ditë më vonë.