Dekreti i bazuar në shkelje, ende në fuqi

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, nuk e ka tërhequr dekretin për faljen e një të dënuari recidivist, ani se ka përfituar me shkelje ligjore.

Lajme

09/01/2015 08:11

Sedat Berisha ishte falur vitin e kaluar në përvjetorin e shpalljes së Pavarësisë. Por, ai ligjërisht nuk mund të përfitonte, sepse kishte 12 aktakuza për vepra të rënda – vjedhje.

Presidenca kishte kërkuar sqarime, por nuk dihen masat që janë ndërmarrë kundër përgjegjësve për këto lëshime, shkruan sot Koha Ditore.

Sivjet, më 17 shkurt, presidentja sërish do të nxjerrë një dekret për falje. Vjet kishin përfituar vetëm dy të dënuar, përcjell koha.net. Njërit nuk i takonte mëshira. Presidenca ka sqaruar të enjten se dekreti nuk është shfuqizuar, por ka kërkuar sqarime dhe llogari për lëshimet.

“Dekreti ka mbetur në fuqi. Janë kërkuar sqarime dhe përgjegjësi konkrete për mosdhënien e dokumentacionit të plotë të Komisionit ad hoc për falje, i cili ka punuar me dokumentet e ofruara. I njëjti Komision, në kohën kur ka punuar për faljen, në vitin 2014, ka kërkuar me shkrim sqarime për rastet e paraqitura për falje”, ka thënë zëdhënësi i Presidencës, Arbër Vllahiu.