Dekorimi për Pashkët

Këtë fundjavë janë Pashkët, rasti perfekt për të larguar stresin duke çliruar kreativitetin me dekorimet. Mund ta bëni vetë këtë, apo dhe me fëmijët duke dekoruar tavolina për festën, për kopshtin apo për shtëpinë.

Lifestyle

14/04/2017 08:51

Shporta, kavanoza e shumë gjëra të tjera që mund të krijoni duke u zbavitur dhe sigurisht pa shpenzuar shumë.

Ja disa ide origjinale dhe dekorime të thjeshta:
Vezët
Nuk është e thënë që të jenë vetëm vezë natyrale por dhe artificiale. Mjafton që fillimisht me penel të ngjyrosni bazën me të bardhë, ta lini të thahet e bashkë me fëmijët ta dekoroni siç dëshironi. Pas kësaj vjen hapi tjetër, ai i vendosjes në vende të ndryshme të shtëpisë. Për shembull, ti vendosni në një kavanoz, në një gotë, apo akoma më mirë në një vazo lulesh.

Lepuj, tekstile dhe shporta
Një ide interesante është ajo e dekorimit të tavolinë, vendosja e koshave të mbledhjes së vezëve të shoqëruara me lepurusha simpatikë prej kartoni. Mundohuni të zgjidhni shporta me thurje të përmasave të tilla që të mund të mbajë copë të vogël rrobe. Kur përgatisni bazën, vazhdoni me mbushjen, në fillim me kashtë apo polisterol dhe sipër vezët.

Duke përdorur kartona të përmasave të mëdha, vizatoni e më pas prisni një lepurush simpatik duke e  ngjyrosur. Një sugjerim: Për sytë mund të përdorni kopsa. Për ta bërë shportën më të veçantë fusni brenda diçka speciale, ndoshta ndonjë çokollatë për të kënaqur fëmijët tuaj me lojën ‘në kërkim të thesarit’./ Top Channel