Deklarohet i pafajshëm polici i akuzuar për keqpërdorim pozite dhe ushtrim ndikimi

Zyrtari policor Bajram Bytyqi, është deklaruar i pafajshëm për veprat penale “keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “ushtrim të ndikimit”.

Lajme

14/02/2018 12:06

Në shqyrtimin fillestar të së mërkurës, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Bytyqi ka deklaruar se nuk e ndien veten fajtor për veprat penale që i vihen në barrë.

Ai paraprakisht para deklarimit rreth fajësisë, ka thënë se nuk ka nevojë të lexohet aktakuza, pasi që ka kopje të saj dhe se është konsultuar me avokatin e tij mbrojtës, Gazmend Halilaj.

Sa i përket shkresave të lëndës, i akuzuari ka deklaruar se dy herë ka deklaruar se ka qenë në prokurori dhe në shkresore, mirëpo, nuk është pajisur me to.

Kurse, prokurori Kujtim Munishi, ka deklaruar se jo vetëm Bytyqi, por çdo palë pajiset me shkresa të lëndës në rastet që ai i përfaqëson, dhe se as mbrojtësi i tij, e as i akuzuari nuk kanë qenë për t’i marr të njëjtat, duke shtuar se pa asnjë dilemë do t’ua jepte ato.

Gjykatësi Shashivar Hoti, ka deklaruar se brenda afatit 5 ditor, i akuzuari duhet të pajiset me shkresa të lëndës nga prokuroria, kurse Munishi ka shtuar se që nga sot i pandehuri mund të pajiset me këto shkresa.

Ndryshe, seanca e paraparë të mbahej më 19 janar 2018, në këtë rast ishte shtyrë me kërkesë të avokatit, Gazmend Halilaj.

Gjykatësi Shashivar Hoti, kishte njoftuar palët se mbrojtësi i të akuzuarit Bytyqi, avokati Halilaj, ia kishte dorëzuar gjykatës një raport mjekësor, të bashkëngjitur me kërkesën për shtyrjen e këtij shqyrtimi gjyqësor. I njëjti, nuk ka qenë prezent as në seancën e sotme.

Ndërsa, edhe seanca e paraparë të mbahej më 3 janar të këtij viti, ishte shtyrë për shkak të mungesës së prokurorit Kujtim Munishi, i cili ndodhej në pushim vjetor.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 31 tetor 2017, kishte ngritur aktakuzë ndaj Bajram Bytyqit, me pretendimin se i njëjti në cilësinë e personit zyrtar në Stacionin Policor në Drenas kishte kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “ushtrim i ndikimit”.

Bajram Bytyqi pretendohet se më 3 korrik 2013, kishte marrë nga i dëmtuari Ferid Ismajli shumën prej 1200 euro, duke i premtuar të njëjtit se nuk do të vuajë dënimin të cilin e kishte marrë nga gjykata.

Sipas aktakuzës, Bytyqi pas një marrëveshje paraprake me të dëmtuarin Ismajli, kishte pranuar nga ai këto të holla, duke i thënë se ai nuk do ta vuajë dënimin me burg në kohëzgjatje prej 6 muaj.