Deklaratat e Ramës dhe Thaçit për ‘Shqipërinë e Madhe’, për konsum të brendshëm

Para dy ditësh, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka thënë se nëse venitet rruga e Ballkanit Perëndimor për anëtarësim në Bashkimin Evropian, opsion mbetet bashkimi kombëtar. Ndërkohë, pas një dite këtij qëndrimi iu bashku presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Por këto deklarata vlerësohet se janë dhënë vetëm për “konsum të brendshëm” politik.  

Lajme

20/04/2017 16:05

Analistët politikë thonë se interesi nacional i shqiptarëve është integrimi i tërë Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian dhe se kushdo që nuk punon në këtë drejtim, sipas tyre nuk punon për interesin nacional të shqiptarëve, shkruan lajmi.net.

Duke komentuar deklaratat e Ramës dhe Thaçit se nëse BE bllokon anëtarësimin e Kosovës dhe Shqipërisë në këtë union opsion mbetet bashkimi kombëtar, profesori i së Drejtës Evropiane, Avni Mazrreku ka thënë për lajmi.net se nuk sheh asnjë pengesë nga ana e Bashkimit Evropian për anëtarësimin e Kosovës dhe Shqipërisë në këtë union, megjithëse thotë se Kosova e ka më të komplikuar situatën për shkak të mos njohjes nga pesë shtetet anëtarë të BE-së.

“Pengesë e vetme e ecjes së Shqipërisë me intensitet më të shtuar në këtë rrugë është vet klasa politike e Shqipërisë. Ajo është pengesa kryesore për shkak se është evidente mungesa e vullnetit politik për t’i ndërmarr ato reforma të domosdoshme në fakt për stabilizimit politik, e si rrjedhojë e të cilit pastaj edhe  prosperimi ekonomik i vendit. Kjo bëhet me një sistem më efektiv të drejtësisë, kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Klasa politike në Shqipëri po i reziston reformave të thella të cilat e afrojnë me Bashkimin Evropian, por këto reforma do të ishin të nevojshme edhe po të mos ekzistonte BE-ja”, ka vlerësuar Mazrreku.

Ai më tej ka thënë se këto deklarata jepen për konsum të brendshëm dhe se do të dëgjohen edhe në të ardhmen.

“Këto më tepër mendoj se thuhen për çështje të konsumit të brendshëm politik dhe ne e dimë që idetë të themi kushtimisht me konotacione nacionaliste ende janë ide populliste në rajon dhe poashtu e dimë se Shqipëria është në prag të fushatës elektorale dhe janë të pritshme edhe andej kufirit deklarata të këtilla, siç do të dëgjomë edhe në Kosovë por edhe në vendet tjera”, ka shtuar Mazrreku.

Në fund, ai ka thënë se interesi nacional i shqiptarëve është anëtarësimi në Bashkimin Evropian  i shteteve ku ata jetojnë dhe kushdo që pozicionohet në raport të zhdrejtë me këtë ide,sipas Mazrrekut, nuk është në raport të drejt me interesin nacional  të shqiptarëve.

Kurse, analisti Enver Robelli ka thënë se me këto deklarata Rama e Thaçi po mundohen të ia hedhin Bashkimit Evropian fajin për stagnimin e Shqipërisë dhe Kosovës në procesin e integrimit.

“Kur nuk luan Juventusi, kryeministri i Shqipërisë merret nga pak me politikë. Kur nuk kërcënon se do të largohet nga posti i presidentit nëse nuk miratohet projektligji për themelimin e ushtrisë kosovare, kryetari i Kosovës i bashkohet retorikës boshe së Edi Ramës, i cili së fundi i tha portalit «Politico» se Shqipëria dhe Kosova mund të krijojnë një «union të vogël» nëse nuk i pranon «unioni i madh», domethënë Bashkimi Evropian. Sipas Ramës ballkanasit mund të «çmenden» dhe Evropa do të ballafaqohet me një «makth» nëse zbehen shpresat për anëtarësim”, ka shkruar ndër të tjera Robelli në një shkrim autorial në “DialoguPlus”. /Lajmi.net/