Dekani jep dy arsye pse emëroi zonjën e parë prodekane në Universitetin e Mitrovicës

Hakif Zeqiri, dekan i Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike dhe Kompjuterike në Universitetin e Mitrovicës, “Isa Boletini” shprehet i lumtur që më në fund e ka emëruar edhe një prodekane të re. Teksa sqaron arsyet pse ka emëruar Lumnije Thaçin, Zonjën e Parë, bashkëshorten e Presidentit Hashim Thaçi prodekane në Fakultetin që ai e drejton, Zeqiri ankohet për mungesë stafi akademik.

Lajme

01/03/2018 20:42

Në një intervistë për Insajderin, dekani Zeqiri ankohet se prodekani aktual Qamil Kabashi i ka kryer dy punë, edhe si prodekan për mësim edhe për financa.

“Është e drejtë e dekanit me emëru prodekanë të rinj. Unë kam problem me staf. Tash e kam përgatitur kërkesën për staf të ri akademik, sepse fakulteti që unë e drejtojë ka mungesë stafi, për 9 veta, tre profesorë dhe shtatë asistentë”, thotë Zeqiri për Insajderin.

Pozita e prodekanit për financa sipas Zeqirit ka qenë vakante që një vit e gjysmë, bash sa është koha prej se Lumnije Thaçi ka marrë doktoruar në Universitetin e Tiranës në fushën e ekonomisë. Zonja e Parë kishte mbrojtur diplomën e doktoraturës në mars të vitit 2016.

“Ka qenë vend i lirë, nuk e kam pasur kënd me emëru sepse të gjithë e kanë pasur një post. Prodekani aktual, ka qenë vetëm për mësim por i ka kryer dy detyrat në një fakultet me 1 mijë e 450 studenta sa janë. Kështu që prodekani Qamil Kabashi është prodekan për mësim, ndërsa Lumnije Thaçi është për financa. Ajo është ekonomiste, është e pranuar para një viti e gjysmë në punë këtu “, thotë Zeqiri.

Insajderi kishte raportuar në prill të vitit të kaluar për rrugëtimin e dyshimtë të Zonjës së Parë drejt Universitetit Publik, përkatësisht në Universitetin “Isa Boletini”.

Rrugëtimi i dyshimtë i Zonjës së Parë drejt Universitetit publik

Përpos pagës si profesoreshë që sipas Ligjit është mbi 1 mijë euro, Lumnije Thaçi tash si prodekane do të marrë plus 250 euro shtesë. Dekani Zeqiri thotë se pret nga ajo t’i kryej detyrat që i takojnë si prodekane.

“Ka me i kry punët e veta që i ka sipas statutit. Ajo nuk ndikon në marrjen e kuadrit të ri, vetëm ndihmon në kryerjen e detyrave financiare, se kurgjo tjetër nuk ndikon”, ka thënë Zeqiri për Insajderin.

Kur Insajderi e pyeti nëse emërimi i Zonjës së Parë në një post të tillë, disa ditë pasi Agjencia e Kosovës për Akreditimit u përjashtua nga Regjistri Evropian për Sigurimin e Cilësisë së Arsimit të Lartë, pikërisht për shkak të ndërhyrjeve politike nga kryeministri Ramush Haradinaj kur ka shkarkuar Bordin e kësaj AKA-së, Zeqiri e mbronë në mënyrë kategorike vendimin e tij që ai thotë të jetë i pavarur.

” Kurrfarë ndikimi nga jashtë nuk ka pasur, të jeni të bindur”, thotë Zeqiri.

Hakif Zeqiri, dekan i Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike dhe Kompjuterike në Universitetin e Mitrovicës, “Isa Boletini”
Më pas “bënë be” në fëmijët e tij.

“Na si komb jena duke pa vetëm zi për momentin. Unë i kam tre fëmijë dhe në të tre mund të bëjë be që nuk ka pas ndikim nga jashtë. Në të tre mundem me të bo be sepse me mi dhon krejt qa kam nuk i boj be pa kurgjo. Nuk ka pas ndikim. Vetëm nevoja ka qenë”, ka thënë Zeqiri.

Ndërsa përjashtimin e Kosovës nga Regjistri Evropian për Sigurimin e Cilësisë së Arsimit të Lartë e sheh si tragjedi.

“Fatkeqësi është ajo, të hidhërohet kushdo. Është një fatkeqësi ekstreme sepse kemi qenë aty të përfaqësuar dhe po përjashtohemi. Diploma jonë u njohtë kur kena punu në podrume e sot nuk njofet. Kjo duhet me u qu me kajt”, thotë dekani Zeqiri.