Déjà vu për sigurinë e Evropës – Ukraina dhe Kosova

Pyetja relevante nuk duhej të ishte se a i ngjanë Krimea Kosovës apo jo. Por, se si të mbrohet Kosova nesër nga Serbia nëse një kryeministër serb i hapet mundësia për t’a okupuar atë ose një pjesë të saj ashtu si bëri Putini në Krimea.

Opinion

27/04/2014 23:53

Po sa Rusia aneksoi Ukrainën dhe ja hoqi Krimean prej kontrolli, në disa raste u permend Kosova. Krahasimin e filloi Presidenti Rus Putini kur deklaroi se nëse shqiptarët kanë të drejtë të vetëqeverisen, pse jo populli i Krimeas? Këtij krahasimi ju kundërpërgjigjën Kancelarja Gjermane, Merkel, zyrtarë të Bashkimit Europian dhe SHBA-ve. Rrjedhimisht, në vend se ngjarjet në Ukrainë të ndeznin një debat pozitiv për çështjen e sigurisë së Kosovës, në mesin e politikanëve dhe analistëve vazhdoi të debatohet tema e zgjedhur nga Putini.

Pyetja relevante nuk duhej të ishte se a i ngjanë Krimea Kosovës apo jo. Por, se si të mbrohet Kosova nesër nga Serbia nëse një kryeministër serb i hapet mundësia për t’a okupuar atë ose një pjesë të saj ashtu si bëri Putini në Krimea. 

Kjo duket e pamundshme për arsye se trupat e NATO-s garantojnë sigurinë e Kosovës.  Por,

1. Kosova nuk është në NATO.  Artikulli V i Aleancës, që cek se sulmi ndaj njërit anëtar është sulm ndaj çdo anëtari tjetër, nuk vlenë për Kosovën.  Për nga perspektiva e sigurisë dhe aleancave ushtarake, ajo është vetëm territor i mbrojtur nga NATO, i ndarë gjeografikisht mes fuqive që mbajnë paqën për aq kohë sa ka që nevojitet. Fjala nevojë në këtë rast është krejtësisht subjektive e varur nga interesat kombëtare të secilit pjesëmarrës, e ndryeshueshme nga koha, akterët dhe rrethanat.

2. Edhe nese Kosova do të ishte në NATO, garantuesi ultimatum i vendit gjithmonë duhet të jenë kapacitetet vetë mbrojtëse kombëtare. Pra, ndihma mund të pritet nga Uashingtoni, por çdo gjë e mundshme edhe duhet bërë që të mos ketë fare ose të ketë sa më pak nevojë për ndihmë.  Për këtë arsye edhe shtetet si Polonia, pjesë e Aleancës, janë të shqetësuara nga vendimet e Moskës dhe vazhdimisht lobojnë për përkrahje më të madhe ushtarake nga SHBA-të, gjithnjë duke forcuar kapacitetet e veta mbrojtëse.

Mos zhvillimi i kapaciteteve dhe të qenit nën mëshirën e marrëveshjeve ndërkombëtare në mënyrë efektive bënë Kosovën mjet për negoicijim mes fuqive më të mëdha (perfshirë këtu edhe Serbinë, si fuqi krahasimisht më e madhe), e jo akter negocijues.

Kur permendim vendet si mjete për negocijim, shikoni Ukrainën.  Në vitin 1994 kishte nënshkruar Memorandumin e Budapestit së bashku me SHBA-të, Rusinë dhe Britaninë e Madhe sipas së cilës marrëveshje ajo dorëzoj të gjitha armët nukleare për shkatërrim dhe si shkëmbim morri garancion se asnjëri nuk guxon të ja cënoj sovranitetin. Në vitin 2014 (20 vite më vonë) jo vetëm se i cënohet sovraniteti por edhe i merret një pjesë e territorit. Dhe e gjithë kjo ndodh në kontinentin e Evropës. Në rrethanat e sotit, Amerika dhe BE nuk parandalojnë okupimin e trupave ruse sepse nevoja për të nderhyer – e definuar subjektivisht nga imperializmi i Moskës – është më e madhe se ajo e SHBA-ve apo fuqive tjera për të derdhur gjak në Krimea.

Çfarë nëse gjendemi në një pozitë të ngjashme 20 vite pas Marrëveshjes së Brukselit që ka të bëjë me marrëdhënjet mes Kosovës dhe Serbisë por nuk barazon dy palët si shtete sovrane, dhe 35 vite pas Marrëveshjës së Kumanovës që vendos për sigurinë e Kosovës neutral ndaj statusit të saj politik?

Pse nuk flitet për këtë çështje të komplikuar sigurie në të cilën gjendet Kosova? Prezenca e NATO-s krijon aq komfort, sa që nuk ndërmerret gjë për të krijuar kapacitete mbrojtëse. Dhe sa më pak që bëhet aq më e pa sigurtë në realitet Kosova mbetet.

Nuk sjell siguri dialogu i pafund me Beogradin përmes së cilës dobësohet shtetësia e Kosovës duke bërë atë partner në aferat e brendshme të vendit, e forcohet Serbia duke hyrë në BE. Nëse marrim parasysh politikat hegjemoniste të Beogradit, sa më e fuqishme në sistemin nderkombëtar Serbia, aq më e rrezikuar është Kosova.

Gjithashtu, nuk sjell siguri ndërlidhja ekonomike mes Serbisë e Kosovës. Ajo ushqen me resurse po të njëjtin mekanizëm ushtarak Serb që herët a vonë e do Kosovën (ose një pjesë të saj) nën kontrollin e vet.

Andaj, prezenca e NATO-s në Kosovë do të duhej të krijonte hapësirë ku mund të mendohej dhe krijohej një strategji për mbrojtje të vendit duke identifikuar rreziqet afat shkurta, mesme dhe afat gjata. Përkundrazi, kjo prezencë vazhdon të përdoret si arsyetim për mos levizje, dhe menjanim debati.

Ngjarjet në Ukrainë janë një shembull i freskët i asaj që ndodh në sistemin nderkombëtar, dhe alarm për Kosovën që të adresoj sigurinë e vet.  

Ard Morina është specialist i tregtisë ndërkombëtare. Ai mban magjistër për marrëdhënie ndërkombëtare, analizë të sigurisë globale, nga The New School në New York.

Ky opinion është shkruar enkas për lajmi.net. Ndalohet ripublikimi.