Dehari po bashkëpunonte me autoritetet, rasti po hetohet në dy drejtime

Vdekja e dyshimtë e aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje në Qendrën e Paraburgimit në Prizren ka prekur shumëkënd, por ajo po del të jetë edhe më komplekse se që mund të paramendohej.

Lajme

07/11/2016 16:54

Prokuroria e shtetit i ka nisur hetimet në dy drejtime për vetëvrasjen e Astrit Dehari, mëson ORAinfo.

Duke mos dashur të flasin zyrtarisht për momentin për shkak të ndjeshmërisë së rastit, burime brenda hetuesisë tregojnë se hetimet i kanë nisur për sjelljen joprofesionale të stafit të burgut dhe për vizitën e fundit, që i ishte bërë Deharit nga njëri prej kolegëve tij, e cila, sipas tyre, nuk është e evidentuar në regjistrin e kësaj qendre, por se ekzistojnë dëshmi dhe dëshmitarë që ajo është realizuar.

Sipas këtij burimi, i ndjeri Astrit Dehari kishte filluar të bashkëpunonte me autoritetet rreth rastit për të cilin mbahej në paraburgim, të sulmit mbi Kuvendin e Kosovës, kurse Lëvizja Vetëvendosje, e cila e kishte rritur aktivitetit politik si presion për ta liruar atë, jep të nënkuptohet se kishte informacione për këtë bashkëpunim të tij.

“Dyshimet kryesore për momentin janë se ndaj tij është ushtruar presion në takimin e tij të fundit me një koleg të tij, gjë që atë e ka shtyrë drejt pendimit për bashkëpunimin. Kjo, gjithsesi që mund të jetë pritur rëndë edhe prej kolegëve të të ndjerit dhe një ballafaqim rreth kësaj çështjeje ka mundur të ndikojë edhe në gjendjen e tij psikike dhe emocionale”, ka thënë ky burim, i cili për shkak të ndjeshmërisë së rastit dhe për shkak të familjes së të ndjerit heziton të jap informacione më të detajuara.

Për ORAinfo ky burim ka treguar se i ndjeri Astrit Dehari, atë ditë kishte kërkuar që të mos dilte nga dhoma, sepse dëshironte që ta pastronte atë, por më pas ai është gjetur me një shishe te goja, e cila përbënte kombinime të disa elementeve që iu lejohen të burgosurve, si p.sh. mjaltë dhe disa medikamenteve, që iu jepen vetëm me lejen e stafit mjekësor.

“I ndjeri Dehari ka qenë student i mjekësisë dhe për ta kryer këtë akt vdekjeprurës ka ditur sesi t’i kombinoi ato”, ka thënë ky burim, sipas të cilit, stafi i burgut po hetohet edhe për këtë çështje.

Javë më parë edhe mediet kishin raportuar se njëri prej të arrestuarve nga grupi i aktivistëve të Vetëvendosjes po bashkëpunonte me organet e hetuesisë.

Ndryshe, në konferencën e Vetëvendosjes të mbajtur dje nga kryetari i saj Visar Ymeri dhe sekretari Dardan Molliqaj, ky i fundit ka thënë se Dehari para një jave kishte bërë analizat shëndetësore në burg dhe asnjë problem shëndetësor nuk ishte konfirmuar nga këto ekzaminime.

Molliqaj linte të nënkuptonte se është i informuar dhe se Dehari, sipas tij, nuk kishte marrë medikamente derisa qëndronte në burg.

“Ajo që ndodhi nuk është tragjedi, por viktimë e regjimit’, ka thënë Molliqaj.
Autopsia e të ndjerit Astrit Dehari është thënë se do të bëhet sot, në praninë e ekspertit të propozuar nga familja e tij. /ORAinfo/