Degët e LDK-së, 700 kandidatë për zëvendësministra dhe këshilltarë ministrash

Përzgjedhja e stafit të kabinetit ministror pritet të kryhet në fillim të javës së ardhshme, kur Isa Mustafa do të paraqitet në një konferencë për shtyp për të prezantuar kabinetin e tij të plotë.

Lajme

08/01/2015 22:42

Kreut të ekzekutivit kosovar, Isa Mustafës i është dashur më shumë se një muaj që të përcaktojë këshilltarët dhe pjesën tjetër të stafit me të cilët do të punojë.

Në mungesë të kabinetit dhe zëdhënësit të qeverisë, ende askush nuk ka dalë para medieve të tregojë rreth punës së qeverisë.

Top Channel ka mësuar se vetë kryeministri Mustafa do të paraqitet në fillim të javës së ardhshme në një konferencë për shtyp për të prezantuar kabinetin e tij.

Deri atëherë, Mustafa do të mbledhë Këshillin e Përgjithshëm të LDK-së për të vendosur për emrat e zëvendësministrave, por edhe për këshilltarët e ministrave.

Në partinë e Mustafës mësohet se janë rreth 700 kandidatë të propozuar nga degët e LDK-së për t’u emëruar zëvendësministra apo këshilltarë, ndërkohë që partisë në fjalë, sipas marrëveshjes, i takojnë 19 zëvendësministra dhe rreth 70 këshilltarë ministrash.

Një pjesë tjetër e zyrtarëve të LDK-së pritet të emërohen nëpër bordet e agjencive të pavarura dhe institucione të tjera publike.

Po ashtu, për të përmbyllur kabinetin qeveritar, Mustafa do të takohet edhe me partnerin e tij nga PDK, Hashim Thaçi, i cili do t’i paraqesë emrat e zëvendësministrave të PDK-së.

Nënkryetari i kësaj partie, Hajredin Kuçi i ka thënë Top Channelit përmes telefonit se caktimin e zëvendësministrave do ta bëjnë bashkë liderët e koalicionit PDK-LDK.

Sipas marrëveshjes për bashkëqeverisje, PDK dhe LDK do të kenë nga një zëvendësministër në secilën ministri, ndërkohë që në ministritë e udhëhequra nga minoritetet, përveç zëvendësministrave nga PDK e LDK, do të ketë edhe zëvendësministra të tretë nga partitë minoritare.