Dega e LDK-së në Zvicër nis peticion për shkarkimin e Isa Mustafës

Dega e LDK-së në Zvicër ka mbajtur një tubim protestues në mbrojtje të Donika Gërvallës, siç u tha me motivacionin kundër dhunës ndaj femrës shqiptare.

Lajme

22/05/2016 23:58

Tubimi filloi me nënshkrimin e një peticioni, i cili ka për qëllim që zyrtarisht të kërkohet shkarkimi i Isa Mustafës nga posti i kryetarit të LDK-së, për çka Dega e kësaj partie në Zvicër, bënë thirrje publike tek strukturat e LDK-së në Kosovë.

“Ne këtu jemi mbledhur për të shprehur mllefin tonë për sjelljet e pahijshme që i bëri dhe po i bënë Kryesia e LDK-së në Prishtinë, imazhe këto që përfshinë televizionet vendore dhe mediat e shkruara, të cilat nuk e nderojnë LDK-në dhe as Kosovën”, thuhet në reagimin e tyre.

Tubimi protestues, i cili u mbajt me moton “kundër dhunës ndaj femrës shqiptare që po e bëjnë bandat e kriminalizuara të Isa Mustafës!”, ka për qëllim sensibilizimin e opinionit demokratik në Kosovë dhe veçmas për sensibilizimin e elektoratit dhe anëtarësisë së LDK-së, e cila duhet ta ngreh zërin e saj për të shpëtuar degradimin dhe shkatër rimin e mëtutjeshëm të LDK-së dhe të Kosovës në përgjithësi.

“Pa dyshim, ky tubim protestues shprehu të qartë qëndrimin publik të Degës së LDK-së në Zvicër se veprimtarët e saj janë kundër dhunës ndaj femrës shqiptare, janë kundër metodave të linçimit dhe përjashtimit. Dega e LDK-së në Zvicër është për parimin e demokracisë dhe votës së lirë, së këndejmi kjo degë u tha se është për gjithëpërfshirje, për dialog dhe për mendimin ndryshe që nënkupton për zgjedhjen e strukturave të partisë me votë të fshehtë dhe me kundërkandidat”, thuhet në reagimin e kësaj dege.

Në këtë tubim, u shqyrtua edhe mundësia për mbajtjen e një proteste masive para selisë së LDK-së në Prishtinë gjatë pushimeve verore, kur mërgimtarët nga Zvicra dhe Gjermania të jenë në Kosovë.

“Ne sot përballemi me nënçmimin, me linçimin me kërcënime dhe shantazhime të lloj – llojshme, të cilat kurrë nuk kanë qenë pjesë e konceptit dhe e traditës politike të LDK-së. Andaj ne sot jemi tubuar këtu për të shprehur mllefin tonë dhe dëshirojmë që publikisht ta mbështesim një politikane të diasporës e cila është edhe Kryetare e Degës së LDK-së në Gjermani, Donikë Gërvalla, e cila le më që nuk pranohet në dialog, por as nuk lejohet të merr pjesë në Mbledhjen e Partisë për të cilën ka investuar ajo dhe ne bashkë me të, ma shumë se sa të gjitha ato struktura që po bëjnë selfie dhe ishin të ulura në rreshtin e parë në atë mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së duke u zgërdhirë, ndërsa sigurimi tek dera, në hyrje legjitimon, torturon dhe madje i ngreh zhagaz, vajzat tona, motrat tona, nënat tona të cilat përveç se kanë qëndrim ndryshe ndaj zhvillimeve politike në LDK nuk kanë bërë asnjë mëkat tjetër”, thuhet më tej në reagimin e tyre.

Më tej, në reagim thuhet se tash kur Kosova u çlirua, bashkatdhetarët u harruan dhe po trajtohen si qytetarë të rendit të dytë nga njerëzit e Kosovës

“Kjo gjendje është ashpërsuar pikërisht prej se u bë kryetar i LDK-së Isa Mustafa, i cili edhe sa ishte Ministër për Ekonomi dhe Financa në Qeverinë e Bujar Bukoshit, sabotonin dhe pengonin veprimtarinë tonë, pengonin punën e presidentit dhe shpesh ia rrudhnin Ibrahim Rugovës financat, të cilat po të mos ishim ne Degët e LDK-së në Zvicër dhe Gjermani dhe fal disa bizneseve të cilat iu gjenden presidentit historik afër, sot Kosova nuk do ta kishte lirinë”, shkruajnë më tej. /kp