Dega e LDK-së në Podujevë mbështetje të plotë për Qeverinë Mustafa

Jo e gjithë anëtarësia e LDK-së ka përkrahur koalicionin PDK-LDK, por Kryesia e Degës së LDK-së në Podujevë, në mbledhjen e rregullt, që është kryesuar nga Kryetari Agim Veliu, i ka dhënë mbështetje të plotë Qeverisë Mustafa.

Lajme

13/12/2014 19:34

Në takim u tha se Dega e LDK-së në Podujevë, në vazhdimësi është mbajtur e informuar me procesin dhe zhvillimet politike për konstituimin e institucioneve të Republikës së Kosovës, në pajtim me Kushtetutën, rezultatet e zgjedhjeve dhe vendimet e institucioneve të pavarura të Republikës. 

“Dega e LDK-së e Podujevës mbështet vendimet e Këshillit të Përgjithshëm dhe të kryesisë së LDK-së, e që kanë të bëjnë me koalicionin qeverisës të udhëhequr nga LDK-ja. Njëherësh, LDK i mbështetë të gjithë deputetët e saj që kanë votuar “PËR” në Kuvendin e Kosovës, e që është në përputhje me vendimet e organeve vendimmarrëse të LDK-së”, thuhet në komunikatën për media të LDK-së, Dega Podujevë.  

Kryesia e Degës e LDK-së e Podujevës uron Kryeministrin Isa Mustafa dhe Qeverinë e re me dëshirën për suksese në realizim të objektivave programore dhe sigurimin e zhvillimit ekonomik në vend, ligj dhe shtet të së drejtës e avancim në procesin e integrimeve euroatlantike.