Dedikimi emocionues i Ilir Shaqirit për nipin e tij (Foto)

Temali, nipi i këngëtarit Ilir Shaqiri ka mbushur tre vite.

ShowBiz

26/05/2016 16:47

Për voglushin që artistin e bëri gjysh për herë të parë, Iliri ka bërë një dedikim mjaft emocionues, transmeton Telegrafi.

Këto fjalë zemre dedikuar më të voglit të familjes, me miqt e tij i ka ndarë edhe Korabi në profilin e tij.

Temali, gjerdani më i bukur i jetës sime
Ai sot po hyn në pranverën e tretë të jetës së bukur dhe, si askush tjetër, di ta shfaq sekretin e buzëqeshjes së çiltër.
Ai tashmë i ka mësuar hapësirat e shtëpisë, ka filluar t’i ketë dhe ka filluar t’i shprehë idetë e tij: sesi rritet bari, sesi çelin lulet në kopsht, sesi vijnë e ikin zogjtë duke kënduar; sesi molepset macja e komshiut pas fërkemeve të tij, sesi lehë qeni përtej kufirit të kopshtit, etj.
Ai gjithçka po e soditë me sytë e tij tepër të vëmendshëm, mjaltorë.
Kur dëgjoj zërin e tij, më vjen shumë më i bukur sesa zëri im, në të gjitha këngët që i kam interpretuar deri tash. Kur e hedh krahaqafë është gjerdani më i bukur i jetës sime.
Ai do të mësojë: sesi t’u gëzohet fluturave, sesi tu gëzohet fitoreve, por edhe humbjet t’i përballojë hijshëm. Gjithçka do ta mësojë butësisht, gjatësisht e gjatë, që të jetojë me besim të plotë dhe me kurajë të papërkulur.
Ai do të mësojë se: më i vlefshëm është një cent i fituar me djersë, sesa një arkë me flori, e gjetur.
Ai do të mësojë: edhe të dështojë, por kurrë të mos mashtrojë.
Ai do të mësojë: të jetë i butë, i ndjeshëm ndaj mirësisë dhe i ashpër ndaj ashpërsisë, ndaj padrejtësisë.
Ai do të mësojë, që të mos i duartrokasë kurrë të shëmtuarës, që të mos vrapojë kurrë pas turmës edhe nëse mbetet filli vetë. Gjithçka do të mësojë, që ta shoshitë në sitën e së vërtetës dhe t’i përgjigjet vetëm ndërgjegjes.
Do të mësojë, që asnjë lloj çmimi nuk mund t’ia blejë shpirtin. Do të mësojë: ta përdor zgjuarsinë, ta shes talentin, ndërsa muskujt t’i “keqpërdorë” vetëm atëherë kur maskarenjtë edhe mund të trimërohen, largqoftë, që ta mbështetin për muri. Do ta mësojë durimin, e të mos harrojë për të qenë trim, vetëm atëherë kur duhet.
Ai do të mësojë se: më e bukur është një humbje e ndershme, sesa një fitore e turpshme.
Ai do të mësojë: që të mos ketë turp nga lotët dhe të mos harrojë buzëqeshjen në asnjë rast trishtimi.
Ai do të bëhet vetvetja, duke i shijuar bukuritë e jetës, duke i shërbyer shtëpisë, shoqërisë, atdheut dhe botës, me vepra të mira.
U bëfsh 100 vjeç nipi im i mirë!
Ilir Shaqiri
25 maj, 2016. Prishtinë