Deda: Thaçi po manipulon me ndjenjat e shqiptarëve në Luginë të Preshevës

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Ilir Deda ka thënë se presidenti Hashim Thaçi po manipulon me ndjenjat e qytetarëve të Luginës së Preshevës për bashkim me Kosovën.

Lajme

02/08/2018 15:15

Ai me anë të një postimi në Facebook, duke komentuar deklaratën e dhënë nga Thaçi sot, se nëse ka marrëveshje me Serbinë, Lugina do t’i bashkohet Kosovës, ka thënë se u tha një gënjeshtër, por nuk u tha që Serbia e merr veriun deri në Ibër.

“Sot pasoi gënjeshtra e radhës nga Kryetari i Kosovës – që Lugina e Preshevës do t’i bashkohet Kosovës. E pathënë mbeti që Serbia e merr veriun deri në lumin Ibër. Thaçi e di shumë mirë që as Medvegja, as Bujanovci dhe as Presheva nuk do të bashkohen me Kosovën. Është duke manipuluar me ndjenjat e shqiptarëve në Luginë për aksham pazaret që dëshiron t’i bëjë në emër të Kosovës. Nëse nuk e ndalojmë t’i realizojë, do ta shkatërrojnë Republikën e Kosovës”, ka shkruar Deda./Lajmi.net/