Decentralizimi peng i politikave të inatosura dhe pragmatike

Ballkani perëndimor nuk po mund të gjejë decentralizimin, respektivisht reformën e duhur lokale në modelin që i shkon përshtati një shteti demokratik.

Lajme

23/04/2015 18:14

Pos kësaj, ata nuk po arrijnë të krijojnë edhe shërbime të mira dhe balancim të fuqishëm ndërmjet qeverive qendrore dhe atyre lokale

Kështu u tha në konferencën rajonale për qeverisjen lokale me temën “Decentralizimi një mundësi apo sfidë në zhvillimin e vendeve në tranzicion”, me ç’rast u tha se decentralizimin, apo zbritja e pushtetit kontribuon në forcimin e demokratizimit.

Besnik Tahiri, drejtor ekzekutiv i Institutit KLGI, tha se në të gjitha vendet e Ballkanit ekziston ende një luftë në mes nivelit qendror dhe atij lokal në raport me kompetencat dhe se ato vende ende nuk kanë decentralizim.

Edhe Dushan Janiç, themelues i Forumit për marrëdhënie Etnike në Beograd, tha se në momentin kur një qeveri apo një parlament nuk e ka vizionin e qartë, nuk e ka qëllimin e definuar se ku dëshiron të mbërrij me reformën e decentralizimit, në atë shtet do të ketë gjithmonë kaos.

Por, zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Bajram Gecaj, tha se njëra nga prioritetet e tyre më të rëndësishme është që bëjnë ndryshimin e ligjit për qeverisje lokale.

E Bajram Fino, Deputet në Kuvendin e Shqipërisë dhe bashkëkryetar për reformën administrative-territoriale në Shqipëri, foli për reformën administrative-territoriale në Shqipëri dhe mundësit për zhvillimin ekonomik lokal, ku tha se aktualisht ndarja e vjetër territoriale e vendit në pjesën më të madhe të saj ka rezultuar me paaftësinë e komunave të vogla për të kryer shërbimet dhe funksionet ndaj banorëve.

Tahir Hani, zëvendës sekretar shtetëror dhe ish ministër i Vetëqeverisjes Lokale në Republikën e Maqedonisë, tha se Maqedonia ka pasur probleme të mëdha për sa i përket decentralizimit, për shkak të sistemit politik të trashëguar nga Federata Jugosllave.

Nga ky debat, u arrit në përfundim se decentralizimi ka qenë dhe do të vazhdoj të jetë peng i një politike të inatosur dhe pragmatike në kuptimin e interesit politik të partive në raport me atë çfarë duhet të ndodh në praktikë. /KosovaPress