Decentralizimi i dështuar nëse nuk ka përkrahje nga qeveria

Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale vlerëson se decentralizimi në Kosovë, dhe rajon është i dështuar përderisa nuk e ka përkrahjen e qeverive qendrore.

Lajme

23/03/2014 21:37

Procesi i decentralizimit në Kosovë dhe vendet e rajonit, është i dështuar nëse nuk e ka përkrahjen e qeverive qendrore, ka vlerësuar Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale.

Ky konstatim ka dal pas një vizite studimore të realizuar në Republikën e Maqedonisë.

Drejtori ekzekutiv i këtij instituti, Besnik Tahiri, duke analizuar procesin e decentralizimit në vendet e rajonit tha se procesi i reformës lokale në rastin e Bosnjës dhe Hercegovinës i dalë nga marrëveshja e Dejtonit, ai i Kosovës i dalë nga pakoja gjithëpërfshirëse e Presidentit Ahtisari dhe ai i Maqedonisë i dalë nga marrëveshja e Ohrit, janë të rrezikuara të dështojnë në rast se edhe më tutje vazhdon të mungojë përkrahja e qeverive qendrore karshi atyre lokale.

Tahiri përmendi tri parakushte që të ndodh decentralizimi i suksesshëm në komuna.

“I pari i referohet shkallës së lartë të kapacitetit qendror të shtetit. Për shkak se zbatimi efektiv i decentralizimit kërkon koordinimin ndërmjet niveleve dhe kërkon më shumë rregullore për ta garantuar transparencën themelore, llogaridhënien dhe një shtet i dobët nuk mund të zbatojë decentralizimin në mënyrë të suksesshme”.

“Kërkesa e dytë është një shoqëri civile e zhvilluar mirë. Kjo është e rëndësishme jo vetëm për aspektin pjesëmarrës, por edhe për shkak se do të mund të ofronte burime shtesë për informim, komente si dhe kritika konstruktive për pushtetin lokal.

“I treti është një projekt politik në të cilin një forcë e organizuar politike përkrah decentralizimin dhe siguron zbatimin e tij. Po ashtu nuk duhet të harrojmë se qeverisja efektive lokale varet nga burimet e ekzistuese, të cilat janë adekuate dhe të qëndrueshme”, tha Tahiri.

Në kuadër të kësaj vizite studimore, pjesëmarrësit patën rastin të takohen me Ministrin e Vetëqeverisjes Lokale, Tahir Hani, Kryetaren e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, Kryetarin e Komunës së Bogovinës, Hazbi Idrizi, Kryetarin e Komunës së Strugës, Ziadin Sela dhe Ekzekutivin e Komunës së Gostivarit.

Po ashtu në program përfshihen edhe pjesëmarrës që vijnë nga institucione qeveritare, mekanizma të pavarur dhe organizata të shoqërisë civile. Derisa programi përkrahet nga Ambasada Norvegjeze dhe Fondacioni Friedrich Ebert Stiftung.