Dëbora mbërthen Kilin

Reshje të dendura dëbore kanë zbardhur kryeqytetin e Kilit, Santiagon dhe kanë shkaktuar ndërprerje masive të energjisë elektrike që mbrëmjen e kaluar la në errësirë më shumë se 250.000 vetë.

Bota

16/07/2017 15:55

Shumica e incidenteve të lidhur me mungesën e energjisë erdhën nga pemët e ngarkuara prej borës, që ranë mbi kabllot e tensionit të lartë.

Si pasojë e atyre që meterologët i konsiderojnë reshjet më të mëdha të kësaj natyre në Santiago prej një dekade, një punëtor që po përpiqej të pastronte akullin vdiq dhe dy persona u plagosen.

I gjithë qyteti dhe zona përreth tij janë përballur këto ditë me një valë të pazakontë të ftohti, pasojë e së cilës kanë qenë ndër të tjera edhe bllokimet masive të trafikut. Acari megjithatë nuk ka qenë lajm i keq për të gjithë, sepse plot të rritur e fëmijë kanë dalë nëpër rrugë për të shijuar kënaqësinë e borës së porsarënë.

“Probleme mund të ketë shkaktuar, por këtu në lagjen Bellavista dhe në përgjithësi në Santiago, dëbora ka krijuar një atmosferë magjike. Ishte kaq e papritur, e njëkohësisht, shumë e bukur”, thotë një banor i kryeqytetit kilian.

Edhe pse më të ulta në intensitet, reshjet e dëborës sipas ekspertëve do të vazhdojnë, ndërsa dara e acarit duket se për momentin nuk ka ndërmend ta lëshojë rajonin.