Debate te nxehta rreth buxhetit

Më debate të ashpra dhe mospajtime ndërmjet deputetëve të partive në pushtet dhe atyre të opozitës, Kuvendi i Kosovës ka diskutuar rreth Projektbuxhetit për vitin 2018, të prezantuar nga Qeveria.

Lajme

05/12/2017 16:43

Gjatë prezantimit, ministri i Financave, Bedri Hamza, tha se buxheti për vitin e ardhshëm parasheh të hyra prej 1 miliard e 829 milionë euro. Nga kjo shumë, 687 milionë euro parashihen të jenë investimet kapitale.

Ky buxhet, tha Hamza, siguron rritje ekonomike në 4.6 për qind, zhvillim të përgjithshëm ekonomik, zvogëlim të shkallës se ekonomisë joligjore, përmirësim të kushteve të sektorit privat dhe ndikim te mirëqenia sociale e përgjithshme e qytetarëve.

Sipas parashikimeve të Qeverisë së Kosovës, Administrata Tatimore e Kosovës do të grumbullojë 446 milionë euro, ndërsa Dogana e Kosovës 1 miliard e 175 milionë euro.

“Përmes këtij buxheti jemi të bindur se kemi bërë më të mirën për një shpërndarje sa më të drejtë të parasë publike, për financimin e prioriteteve tona reformuese, që kanë kthim më të madh në të mirat materiale për qytetarët e vendit. Rrjedhimisht, ky draft-buxhet nuk do të shihet nga një këndvështrim izolues vetëm për vitin 2018, por më shumë si një buxhet që ka implikime për një periudhë afatmesme dhe më të gjatë”, tha Hamza.

Por, me vlerësime tjera janë paraqitur më pas deputetët gjatë fjalimeve në Kuvend.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, e ka cilësuar si joreal dhe me shifra të fryra Projektbuxhetin e prezantuar nga Qeveria.

Sipas tij, buxheti i vitit të ardhshëm vazhdon të varet nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, çka nënkupton se Kosova do varet nga importi i produkteve të huaja duke anashkaluar prodhimin vendor.

“Njësoj sikurse më buxhetin e vitit të kaluar, të hyrat buxhetore janë të fyera dhe joreale, kurse shpenzimet pritet të mbulohen nga borxhi. Edhe me këtë Qeveri, sikurse qeveritë tjera, do të vazhdojmë të eksportojmë para të gatshme që na sjell mërgata dhe kështu të kontribuojmë në rritjen e prodhimit industrial të vendeve tjera, kryesisht Serbisë dhe Maqedonisë”, tha Ymeri.

Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, tha se buxheti për vitin 2018, degradon dhe e kthen situatën para vitit 2015, kur ka pasur një planifikim të dobët buxhetor.

Ndër tjera, Hoti tha se ky buxhet nuk do të adresojë prioritet strategjike, përveç se do të rritë numrin e të punësuarve në sektorin publik për 1050 të punësuar.

“Duhet ta dinë taksapaguesit kosovarë se vetëm punësimi i 70 zëvendësministrave do të kushtojë rreth 3.5 milionë euro. Pra, me 70 zëvendësministra, me nga tre veta staf për secilin, me vetura dhe shpenzime të reprezentacionit. Për ilustrim, për sigurime shëndetësore, Qeveria e Kosovës ka ndarë një kontingjente prej 3 milionë euro, që është më pak se kostoja e 70 zëvendësministrave”, tha Hoti.

 

Sidoqoftë, ministri Hamza, vlerësoi se përgatitja e buxhetit është në pajtimin të plotë me Fondin Monetar Ndërkombëtar, në të gjitha pozicionet buxhetore.

Ndryshe, buxheti i Kosovës për vitin 2017, ishte mbi dy miliardë euro.