Debate të ashpra dhe pa koncensus, partitë nuk pajtohen me deklaratën e VV-së për zgjedhjet

Në tryezën e Vetëvendosjes ka pasur një debat të ashpër ndërmjet përfaqësuesit të AAK-së, PDK-së dhe Albin Kurtit.

Lajme

25/05/2018 13:10

Kjo situatë u krijua pasi partive iu dha deklarata ku thuhet se vendi duhet të shkojë në zgjedhje.

Deputeti i AAK-së, Blerim Kuçi ka thënë se kjo tryezë nuk ishte në frymën e koncensusit.

“Kjo nuk i shërben koncesusit. Ne kemi krijuar një grup punues. Në tryezat e mëhershme janë vendosur 5 tema dhe asnjëra nga to nuk është kjo për të cilën shkruhet në deklaratë”, ka thënë Kuçi, raporton lajmi.net.

Ndaj kësaj ka reaguar Albin Kurti. Ai theksoi se vendi duhet të shkojë në zgjedhje pasi nuk mund të ketë qeveri me 52 deputetë.

“Ju keni ardhur në këtë tryezë duke e ditur temën. Nuk qeveriset me 52 deputetë, dhe si rezultat duhet të dilet nga kjo krizë”, tha Kurti.

Pas kësaj reagoi edhe përfaqësuesi i PDK-së, Betim Gjoshi.

Gjoshi theksoi se deklarata e VV-së ishte më shumë dëshirë e një personi duke aluduar te Albin Kurti.

Duke folur për këtë deklaratë, nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu deklaroi se partia e tij është që të ketë zgjedhje, por që së pari duhet të kryhen disa tema me rëndësi për vendin.

Në përfundim të takimit Kurti ka thënë se përshendet qëndrimet nga kjo tryezë por edhe vërejtjet për deklaratën.

Ndryshe në këtë takim nuk mori pjesë vetëm Lista Serbe. /Lajmi.net/