Debat pro dhe kundër në Kuvendin e Serbisë për krijimin e një ministrie për Kosovën

Në Serbi është duke u propozuar që të krijohet një ministri e cila do të merret me problemet e Kosovës, propozim i cili nuk ka kaluar pa debate.

Lajme

26/06/2017 15:02

Kryetari i grupit parlamentar të SNS, Aleksandar Martinoviq ka thënë se Kosova është pjesë e Serbisë dhe se nuk ka nevojë për krijimin e një ministrie të tillë, transmeton lajmi.net

Duke iu përgjigjur kritikave të opozitës për krijimin e kësaj ministrie, Martinoviq ka thënë se shteti i Serbisë do të jetë i pranishëm në Kosovë pa marrë parasysh a ka ministri apo jo.

“Deri në atë logjikë, ne duhet të kemi ministri për Vojvodinën, Beogradin, Kosovën e Mitrovicën”, tha kreu i grupit parlamentar të SNS.

Madje sipas tij, nëse krijohet një institucion i tillë, do të legjitimohet pavarësia e Kosovës, duke bërë që ajo të mos jetë pjesë e shtetit serb,

“Në qoftë se ne e pranojmë logjikën tuaj për krijimin e Ministrisë së Kosovës, i bie që Kosova nuk është pjesë e Serbisë. Për ne Kosova është Serbi, dhe do të vazhdojmë të jemi të pranishëm atje”, shtoi Martinoviq.

Goran Bogdanoviq, deputet nga SDS tha se asgjë nuk është investuar në Kosovë nga shteti i Serbisë.

“Nuk duhet ta politizoni çështjen e serbëve të Kosovës. Tash dhe gjithmonë Qeveria duhet të kujdeset për serbët në Kosovë”, tha ai.

Aktualisht në Serbi ekziston e ashtuquajtura zyrë për Kosovën, e cila drejtohet nga Marko Gjuriq. /Lajmi.net/