Debat për divorcin, burri tenton të djegë gruan

Një 42-vjeçar shqiptar nuk i ka pritur mirë vendimin e divorcit të dhënë nga gjykata italiane dhe pas një debati me bashkëshorten e tij 41-vjeçare, ai ka tentuar të djegë veten dhe gruan e tij.

Lajme

01/10/2016 11:06

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në Milano. Policia italiane thotë se çifti ka patur një debat për çështjen e divorcit të vendosur nga gjykata dhe situata është përshkallëzuar kur bashkëshorti ka marrë benzinë ka spërkatur apartamentin dhe është përpjekur që të spërkasë edhe vetë bashkëshorten e tij.

Pas kësaj, ai i ka vënë flakën banesës. 41-vjeçarja është hedhur nga dritarja e apartamentit që mori flakë me shpejtësi dhe të njëjtën gjë ka bërë pak sekonda më vonë edhe 42-vjeçari, shkruan Top Channel.

Që të dy ata janë transportuar në spital, ku bashkëshorti ndodhet në më të rëndë shëndetësore shkaktuar edhe nga djegiet që ka marrë në trup.

Raportohet se çifti i shqiptarëve ka edhe tre fëmijë, 14,16 dhe 23 vjeç, të cilët në momentin e ngjarjes nuk ndodheshin në banesë.