De Gea mposht Januzajn

Portieri David de Gea mposhti mesfushorin kosovar Adnan Januzaj, dhe sulmuesin Wayne Rooney në garë për çmimin e futbollistit më të mirë të vitit në Manchester United.

Sport

09/05/2014 00:27

Portieri David de Gea është shpallur futbollisti më i mirë i vitit nga Manchester United.

Reprezentuesi spanjoll ka shkëlqyer me paraqitjet e tij gjatë këtij sezoni, pavarësisht rezultateve të dobëta të kampionit në fuqi të Premierligës, dhe mposhti në garë yllin kosovar Adnan Januzaj dhe sulmuesin Wayne Rooney.

Januzaj dhe Rooney ishin po ashtu në mesin e finalistëve për çmimin e futbollistit më të mirë të vitit, por De Gea u shpall fitues, pas votave nga bashkëlojtarët e tij, por edhe në kategorinë tjetër, me votat e tifozëve.

Rooney doli i dyti, kurse Januzaj i treti. 

Edhe pse humbi garën nga De Gea, Januzaj mund të krenohet nga fakti se hyri në mesin e finalistëve, në stinorin e tij debutues me ekipin e parë të Manchester Unitedit.

Kurse, Rooney u ngushëllua me çmimin e golit të vitit për shënimin e tij në duelin me West Hamin.