De Biasi – Real Madrid, lajm i papritur

Ish-trajneri i Kombëtares, Gianni de Biasi, do të jetë i ftuar nderi në mbrëmjen e fundvitit që organizohet nga Federata Shqiptare e Futbollit. Italiani është i papunë për momentin që kur u shkarkua nga pozicioni i trajnerit të Alavesit.

Sport

22/12/2017 17:18

Trajneri ka folur për të ardhmen e tij, duke thënë më shaka se e ardhmja e tij do të jetë në stolin e Realit të Madridit. Gjithashtu ka folur edhe për vitin që po mbyllet, për ndarjen nga Kombëtarja e më pas nga Alavesit.

“Sa i përket të ardhmes, shpresoj të drejtoj Realin e Madridit. Ky ka qenë një vit me dy fytyra. Në mesin e tij vendosa të ndërpres marrëdhënien me kombëtaren shqiptare dhe më pas kisha një dëshirë të madhe të kthehesha në kampionatin spanjoll. Nuk mu dha koha që të punoja ashtu si unë di të punoj dhe pas dy muajsh gjithçka përfundoi, por më mirë kështu. Në jetë ndodh edhe kështu, e mora shkarkimin me shumë qetësi dhe jam në pritje të bëj diçka më të rëndësishme”.

De Biasi ka folur edhe për trajnerin aktual të Shqipërisë dhe ka deklaruar që do të jetë gjithmonë i gatshëm për ta ndihmuar Kombëtaren nëse do ketë nevojë për të.

“Mendoj që Panuçi i ka mundësitë dhe eksperiencën për të bërë gjëra të mira me këtë kombëtare. I kam parë të gjitha ndeshjet e kombëtares dhe më kanë pëlqyer shumë, sidomos ndeshja me Turqinë. Mund të them se disa lojtarë kanë patur rritje të dukshme dhe ajo që ka rëndësi është vazhdimësia. Për pjesën tjetër unë nuk futem asnjëherë në punët e të tjerëve, nëse do të duhet ndonjë ndihmë jam gati ta jap”./PanoramaSport/