De Biasi largon edhe një trajner

Trajneri i Shqipërisë, Giovanni De Biasi duket se është bërë ekspert për të larguar trajnerët e skuadrave tjera.

Sport

30/03/2015 19:45

Ndodhi ajo që vetë ai kishte parashikuar. “Duhet pasur kujdes, sepse De Biasi është një ‘vrasës’ trajnerësh”. Kështu ishte shprehur në prag të ndeshjes kundër Shqipërisë, trajneri i Armenisë, Bernard Challandes.

Pas humbjes 2-1 me Shqipërinë në “Elbasan Arena” vetëm një natë më parë, trajneri zviceran i kombëtares armene, Bernard Challandes, me të mbërritur në Armeni me një avion “charter” ka dhënë dorëheqjen nga drejtimi i kombëtares nga Kaukazi, një vendim që është pranuar nga kreu i Federatës armene të Futbollit, Ruben Hayrapetyan.

Challandes, duke shprehur fjalët më të mira ndaj FFA-së, stafit të trajnerëve dhe gjithë fansave të kombëtares armene të futbollit, u shpreh për faqen zyrtare të Federatës.

“Erdha në Armeni rreth një vit më parë me objektivin për ta kualifikuar kombëtaren në finalet e Europianit 2016. Ishte një sfidë tepër e vështirë për mua, por në kontratë ishte qartësisht e shkruar se na duhej të grumbullonim pikët e nevojshme për t’u kualifikuar, përndryshe do të largohesha. Ndaj e ardhmja është tërësisht e qartë për mua, pasi 1 pikë në 4 ndeshje nuk janë të mjaftueshme”, thotë Challandes, transmeton TopChannel.

Edhe pse një pjesë të fajit ia hedh dëmtimeve gjatë së kaluarës, të Mkhitaryan dhe Arzumanyan gjatë ndeshjes me Danimarkën, penalltisë së humbur të Marcos ndaj Serbisë dhe kartonit të kuq të Hambardzumyan kundër Shqipërisë, ai shprehet se “nëse ndeshjet do të luheshin vetëm për 70 minuta, ne do të kishim tashmë 10 pikë. Nuk dua të kërkoj falje apo të justifikohem, por taktikat dhe strategjia jonë nuk kanë qenë edhe aq të këqija”.

“Sigurisht që jam i zhgënjyer me rezultatet, por jo me presidentin e Federatës apo dikë tjetër. Përkundrazi, i jam mirënjohës presidentit për mundësinë që më dha, ashtu sikurse gjithë stafit të trajnerëve dhe mjekëve, menaxherëve dhe gjithë njerëzve që kanë punuar me puna gjatë këtyre muajve. Një falënderim i veçantë edhe për tifozët, që kanë qenë me ne, brenda dhe jashtë fushe. I uroj më të mirat Armenisë, do ta ndjek gjithmonë dhe shpresoj që një ditë ju të luani në ndonjë Evropian apo Botëror”, ka mbyllur deklaratën e tij Challandes.

Kujtojmë se Shqipëria është bërë “egjel” i trajnerëve të kombëtareve me të cilat po përballet në këto eliminatore. Pas humbjes që kishte pësuar Portugalia në shtëpi nga Shqipëria në kuadër të eliminatoreve për Euro 2016, trajneri i kombëtares portugeze, Paulo Bento, kishte dhënë dorëheqje.

E njëjta pati ndodhur edhe pas përfundimit të ndeshjes Serbi – Shqipëri, kur trajneri i serbëve, Dick Advocaat, kishte paraqitur dorëheqjen e tij.

Largimi i Challandes shënon rastin e tretë që trajnerët e kombëtareve me të cilat është përballur Shqipëria në këto eliminatore jep dorëheqje.