De Biasi: Ja çfarë do të ndodhte, po të mos përjashtohej Kaçe

Gianni De Biasi është shprehur i zhgënjyer me dy golat e pësuar nga Austria, ndërsa ka theksuar se po të mos përjashtohej Kaçe, takimi do të mbyllej me barazim.

Sport

26/03/2016 20:41

Përzgjedhësi i kuqezinjve, Gianni De Biasi, ka thënë se dy golat e pranuar të Shqipërisë nga Austria kanë mundur të evitoheshin.

Ai ndër të tjera ka shtuar se kartoni i kuq për Kaçen ishte i padrejtë, ndërsa me mesfushorin e PAOK-ut në fushë, Shqipëria do ta merrte një barazim.

“E dinim se do të ishte ndeshje e vështirë. Skuadra jonë nuk mund të pësojë dy gola në atë mënyrë, ishin dy gabime shumë të evitueshme. Ishin dy gola të dhuruar, 30 minuta nuk ishin të mira për ne”, u shpreh tekniku Italian.

“Në pjesën e dytë ndryshoi gjithçka. Folëm në dhomat e zhveshjes për ta ndryshuar lojën dhe me ndërrimet që bëmë loja ndryshoi. Në pjesën e dytë ne ishim më të mirë. Nëse nuk do të jepej ai karton i kuq që nuk ishte, për më tepër që në miqësore nuk jepen këto kartonë, do të kishim barazuar nëse ishim me 11 lojtarë”, shtoi De Biasi, transmeton Sportal.al.