De Biasi-Italia, zbulohet e vërteta

Giampiero Ventura pritet të marrë gjatë javës së ardhshme konfirmimin si trajneri i ri i Italisë, post të cilin e ka ëndërruar për disa muaj edhe trajneri i kombëtares shqiptare, Gianni De Biasi.

Sport

31/05/2016 15:08

Ky i fundit, duke folur për mediat italiane, ka bërë të qartë se bisedimet e tij me Federatën Italiane nuk ishin thjesht thashetheme, por diskutime konkrete mes palëve.

“Trajneri i ri. No koment”, ishte përgjigja e parë që De Biasi dha për gazetën “La Tribuna di Treviso” gjatë një interviste telefonike. “A është kjo një shenjë se mund të emërohem unë? Jo, jo, ka ende kohë. Presim përfundimin e Europianit”, ishte batuta e trajnerit.

“Preferoj të mos them asgjë më shumë për kombëtaren italiane. Sigurisht që më është bërë qejfi që u mora në konsideratë. Kjo do të thotë se kam punuar mirë me Shqipërinë dhe që rezultatet e arritura në këto vite, janë vënë re edhe në Romë. Mundem vetëm të konfirmoj se jam kontaktuar dhe në rastin tim nuk bëhej fjalë vetëm për thashetheme mediatike. Kjo është e gjitha”, tha De Biasi rreth kësaj teme.

Parashikoni ndeshjet e EURO 2016 dhe fitoni dhjetëra shpërblime, duke përfshirë një iPhone 6S dhe Samsung Galaxy Note 4.