De Biasi: humbja mësim për ndeshjet tjera

Gianni De Biasi ka deklaruar se humbja nga Portugalia do t’u shërbejë si leksion për ndeshjet e radhës të kuqezinjëve. Ai ka thënë se shpesh taktikat e provuara në stërvitje nuk funksionojnë si dhe e ka lavdëruar mbrojtësin Gjimshiti, transmeton Sportal

Sport

07/09/2015 23:32

Deklarata e plotë e De Biasit:

“E dinim që do të ishte shumë e vështirë dhe do të vuanim deri në fund, pasi përballë kishim një rival shumë cilësor. E pësuam në fund dhe ishte e rëndë, edhe pse Portugalia krijoi më shumë raste se ne. Fola me lojtarët pas ndeshjes, do të na shpërbejë për të nxjerrë mësime kjo humbje.

“Në momentin e golit ndoshta kemi gabuar, por jo gjithmonë skemat e provuara në stërvitje funksionojnë dhe në ndeshje shpesh gjërat marrin rrjedhë që nuk e mendon.

“Në ndeshje të tilla duhet inteligjencë dhe mendoj se gabuam pak në fund, sepse menduam se mund të fitonim dhe ndoshta kaluam pak në aventurë, ndërkohë që duhej të mbronim barazimin dhe u përfshimë nga euforia e tifozëve. Do të na shërbejë gjithçka si leksion për të ardhmen.

“Me këtë humbje ia ndërlikuam punët vetes, por shpresojmë të rikuperojmë gjithçka, sepse kemi dy ndeshje në dispozicion. Portugalia është thuajse e kualifikuar dhe shpresoj që ndeshjen kundër Danimarkës të japë maksimumin dhe të fitojë.

“Ndërrimet, edhe ai i Gashit, janë taktike, por edhe duke pasur parasysh lodhjen e ndeshjes së shkuar. Gjimshiti është lojtar i fuqishëm, i sigurt, më ka pëlqyer në këto dy ndeshje dhe më ka befasuar”.