De Biasi fton edhe një futbollist kosovar në Kombëtaren e Shqipërisë (FOTO)

Kastriot Dermaku, mbrojtësi i Lucchese, pritet të ftohet nga Gianni De Biasi për ndeshjet e marsit.

Sport

27/02/2017 12:48

Kastriot Dermaku pritet të jetë përforcimi më i ri i Kombëtares shqiptare të futbollit për ndeshjet e marsit ndaj Italisë dhe Bosnjë-Hercegovinës.

Kriza në prapavijën kuqezi, me mungesën për shkak pezullimi të Betat Gjimshitit, apo mos-aktivizimin dhe rënien e formës sportive të lojtarëve të tjerë, ka detyruar trajnerin e përfaqësueses që të kërkojë alternativa të reja të cilat si gjithmonë vijnë nga jashtë Shqipërisë.

Dermaku, kartoni i të cilit i përket Empolit, është një nga lojtarët më të spikatur të këtij sezoni në Lega Pro në Itali te skuadra e Lucchese.

De Biazi e ka monitoruar prej kohësh lojtarin, ndërsa mediat italiane raportojnë se tani ai po mendon ta afrojë në Kombëtare në muajin mars, shkruan Panorama Sport.

Në rastin në fjalë, trajnerit të përfaqësueses nuk i është dashur të shkojë të ndjekë vazhdimisht nga afër futbollistin siç ka bërë shpesh me kandidatë të tjerë, pasi ka informacione të detajuara për të.

Lucchese drejtohet nga Giuseppe Galderisi, i cili është një mik i De Biasit dhe i ka shpjeguar teknikut të kuqezinjve në mënyrë të detajuar të gjitha cilësitë e qendërmbrojtësit. Futbollisti shtatlartë (1,95 m) ka luajtur 19 ndeshje dhe ka shënuar 1 gol me fanellën e Lucchese në këtë sezon.

Ndryshe, Dermaku në vitin 2013 ka luajtur një ndeshje me përfaqësuesen U21 të Shqipërisë.

 

Parashikoni ndeshje të futbollit dhe fitoni dhjetëra shpërblime, duke përfshirë një iPhone 7 dhe Samsung Galaxy S6