Davutoglu: Zgjedhjet e nëntorit do të tregojnë se Turqia dëshiron stabilitet

Kryetari i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti) dhe njëkohësisht kryeministri i Turqisë, Ahmet Davutoglu tha se zgjedhjet e ardhshme në Turqi do të jenë një mundësi që vendi të vazhdojë të bëjë përparim dhe rritje.

Bota

24/10/2015 17:19

Ai ka thënë se në këto zgjedhje Turqia do të tregojë se dëshiron siguri, stabilitet e jo kaos.

“Zgjedhjet e ardhshme të 1 nëntor 2015 për ne janë një shpresë, jo një shqetësim. Turqia do të tregojë edhe njëherë se dëshiron siguri, stabilitet, dhe ata do të thonë ‘jo’ kaosit. Turqia do të thonë “po”për drejtësi dhe zhvillim, në vend të injorancës dhe pasigurisë”, tha Davutoglu, raporton Anadolu Agency (AA).

Ai në fjalimin e tij para qytetarëve të Izmirit, tha se Turqia në vitet e ardhshme do të vazhdojë përparimin dhe zhvillimin, ashtu sikurse në dekadën e kaluar.

“Ne kemi synime të mëdha dhe plane për të ardhmen e vendit. Të jeni të sigurt se ne do të respektojmë të drejtën e të gjithë qytetarëve tanë. Ne besojmë se ky vend do të jetojë në stabilitet dhe do t’ia arrimë qëllimit tonë,” tha kryeministri turk.

Komisioni Zgjedhor i Turqisë vendosi që zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të mbahen më 1 nëntor, pas dështimit të negociatave për të formuar një qeveri koalicioni në atë vend.