Daut Haradinaj: Serbinë e turpëruam më 24 mars ’98

Ish-gjenerali i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Daut Haradinaj, me rastin e shënimit të 19-vjetorit të “Epopesë së Dukagjinit”, ka vlerësuar se beteja e 24 marsit e vitit 1998 ka qenë një nga fitoret më të rëndësishme të UÇK-së.

Lajme

24/03/2017 08:13

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se 19 vjet më parë Serbia është turpëruar në Gllogjan. “Atë ditë ishte një betejë e mundimshme me policinë serbe, të cilën e fitoi UÇK-ja, por i humbëm tre bashkëluftëtarë, Gazmendin, Agronin dhe Himen. 24 marsi i vitit 1998 konsiderohet fillimi i fundit të Serbisë në Dukagjin dhe në Kosovë, sepse pas asaj dite, i madh e i vogël u rreshtuan pro luftës dhe kundër Serbisë. Natyrisht se Drenica veç ishte mobilizuar dhe ishim të gatshëm si komb t’i dalim përpara makinerisë së Serbisë”, është shprehur Haradinaj, duke shtuar se një vit më vonë, më 24 mars të vitit 1999, UÇK-ja mori edhe përkrahjen e aleatëve tanë, të NATO-s dhe të ShBA-së. “Pas plot 72 ditësh bombardime të NATO-s, Serbia u tërhoq nga Kosova dhe vendi ynë u çlirua nga okupimi. Për këtë arsye, 24 marsi i vitit 1999 është ditë e veçantë jo vetëm për Dukagjinin, por për gjithë shqiptarët, sepse nga ajo ditë u bëmë aleatë të Perëndimit. Edhe sot jemi të bindur se rruga drejt Perëndimit është e vetmja alternativë. Kosova nuk bën të gabojë dhe ta humbë partneritetin me NATO-n dhe ShBA-në”, ka theksuar Haradinaj.

Ai ka thënë se mungesa e Ramush Haradinajt nuk e zbeh këtë përvjetor por, sipas tij, arsyeja pse ai nuk është në mesin tonë duhet të jetë motiv për të nderuar dhe kujtuar sakrificën shekullore të popullit shqiptar.

Haradinaj ka thënë se përgjatë historisë, shqiptarët asnjëherë nuk kanë qenë më mirë sesa që janë sot por, sipas tij, jemi shumë larg asaj çfarë kemi dashur. Daut Haradinaj është shprehur i bindur se e ardhmja është e shqiptarëve, por ka bërë thirrje që shqiptarët të jenë të bashkuar, t’i respektojnë vlerat e tyre dhe t’i ruajnë partnerët ndërkombëtarë.

Në këtë intervistë, Daut Haradinaj ka folur edhe për Gjykatën Speciale. Ai ka thënë se luftëtarëve të UÇK-së nuk duhet t’u trembet as syri nga kjo gjykatë. Megjithatë, Haradinaj ka deklaruar se Kosovës nuk i është dashur një gjykatë e tillë pasi, sipas tij, lidershipi ynë herët apo vonë do të kuptojë se ka gabuar. “Kosova nuk ka pasur nevojë që të ketë beteja të tilla. Lidershipi ynë do ta kuptojë se ka gabuar që ka krijuar gjykata të tilla. Megjithatë, Kosova duhet të jetë e bashkuar për t’u përballur edhe me këtë sfidë”, është shprehur deputeti i Kuvendit të Kosovës, Daut Haradinaj.