Daut Demaku: Rusia dhe Turqia kanë eliminuar kokat e ndritura të popullit shqiptar

Publicisti, shkrimtari, dhe njeriu që solli frymën e re të të menduarit e të jetuarit në Kosovë, Daut Demaku ka thënë se shqiptarët kanë pasur prej 600 vjetësh egoizëm primitiv, dhe kjo dëshmohet se përpos Gjergj Kastriotit – Skënderbeut që i ka shërbyer vetes, gjithë tjerët u kanë shërbyer pushtuesve të huaj.

Lajme

12/01/2019 23:13

Ai thotë se shqiptarët kanë qenë superfuqi me territor, por sipas tij ata që kanë dashur t’i grabisin tokat shqiptare, sidomos Rusia dhe Turqia, kanë eliminuar kokat e ndritura të këtij populli.

Demaku thotë se në politikë gjithmonë kemi pasur egoistët, ndërsa për edukimin e kombit shqiptar duhet të kujdeset akademia e shkencave.

“Shikoni akademinë serbe, çdo tre muaj dalin me platforma, porosi. Akademia jonë prej 20 vitesh po bën gjumë dimërorë”, tha ai në RTV Dukagjini.

Shkrimtari ka dhënë se populli duhet të edukohet dhe ky edukim duhet të fillojë para se të ngjizet fëmija.

“Shumësia nuk ka ndonjë rëndësi. India ka popullsi prej 1 miliardë banorësh, ndërsa Sllovenia ka vetëm 2 milion. Por kurrë India nuk mund të bëj shtet si Sllovenia apo Norvegjia”, tha ndër të tjera Daut Demaku.